Rreth 170 mijë euro për Universitetin e Evropës Juglindore. Thuajse 73 mijë euro për Fakultetin Teologjik Ortodoks “Shën Klimenti i Ohrit”. Dhe mbi 48 mijë euro për Fakultetin e Shkencave Islame.
Këto para tre instituconet publiko-private do t’i marrin nga buxheti i shtetit. Vendimin e ka sjellë qeveria më 8 prill. E ajo që habiti më shumë është se ky vendim i ekzekutivit erdhi dy ditë pas deklaratës së kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi ku i kërkon Qeverisë pjesë nga ndihmat e ardhura nga jashtë, përndryshe mund të pasonte tërheqje e masave të BFI-së për mbrojtje nga koronavirusi.
“Sepse mos dhashtë Zoti ne të heqim dorë, t’i pezullojmë vendimet tona! Nuk ka forcë që mund ta luftojë epideminë. Ju garantoj. Atëherë këtu do të bëhet Banglladesh”, tha Sulejman Rexhepi, Kryetar i BFI-së.
Ministri i Arsimit Arbër Ademi thotë se deklarata e kreu të BFI-së nuk ka lidhje me mejtet që Qeveria ndan për 3 insitucionet, përfshirë Fakultetin e Shkencave Islame që është nën ombrellën e BFI-së.
“Kjo është një mbështetje financiare që në kontuinitet, për çdo vit u jepet këtyre institucioneve të arsimit të lartë që kanë status të institucioneve privato-publike. Nga 2014-ta e këtej marrin mbështetje të vazhdueshme me këstet. Çdo tre muaj lëshohet kësti i paracaktuar d he që është paraparë më buxhetin vjetor”, tha Arbër Ademi, Mininstër i Arsimit dhe Shkencës.
Por pse Qeveria nuk e pa të arsyeshme që këtë financim të 3 instituconeve publiko-privare kësaj herë ta ndërpresë me qëllim kursimin e arkës shtetërore në kohë krize?
“Të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend kanë për detyrë që të vazhdojnë me mësimin nga distanca që do të thotë ve veprimtaria realizohet”, tha Arbër Ademi, Mininstër i Arsimit dhe Shkencës.
Deklarata e para dy ditëve e kreu të BFI-së Sulejman Rexhepi ngjalli reagime në opinion, e po ashtu edhe mes zyrtarëve të partive politike. Deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri në Facebook shkruajti se “Rezili në vend se të ndihmojë, pret ndihmë nga shteti”. Më pas zëvendëskryeministri Bujar Osmani deklaroi për TV21 se ka biseduar me Reisin dhe se ai në asnjë moment nuk është kërcënuar por “vetëm ka shprehur nevojën për mbulimin e rrogave minimale edhe për imamët”. Gjithsesi nga Prokuroria kanë deklaruar se i ndjekin dhe do të vazhdojnë t’i ndjekin deklarata e kreut të BFI-së, dhe se do të veprojnë në varësi të konstatimeve që do të bëjnë.
