Janë mbushur 119 vite nga vdekja e Goce Dellçevit, por edhe sot 1 shekull e dy dekada më vonë, përkatësia e tij etnike është temë debati mes maqedonasve dhe bullgarëve. Mes disa figurave të kontestueshme bullgaro-maqedonase, emri i Dellçevit është ndër më të rëndësishmit. Dyshimet bullgare ndaj historisë maqedonase, të cilën e quan të vjedhur, ka bërë që Sofja t’ia bllokojë Shkupit derën për të nisur bisedimet e anëtarësimit me BE-në. E deri sa nuk ka një vendim se i kujt është Goce, ditëlindja e ditëvdekja e tij vazhdon të shënohet në të dyja anët e kufirit. As Shkupi e Sofja nuk lëshojnë asnjë mundësi të flasin për rëndësinë historike të revolucionarit. Sot në vitin e 119 të vdekjes, Presidenti i vendit Stevo Pendarovski si dhe një delegacion nga Kuvendi vendosën kurora lulesh tek varri i Goce Dellçevit në kishën “Shën Spas” në Shkup. Në Facebook shkoi:
“Sot shënojmë 119 vjet nga vdekja e revolucionarit dhe vizionarit maqedonas Goce Dellçevit. Ai nuk është vetëm apostull i revolucionit maqedonas, ai është një humanist botëror me pikëpamje të larta ndërkombëtare dhe kozmopolite. Lavdi veprës së tij!”- deklaroi Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Me tone të njëjta edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski. Edhe ky përmes Facebookut tha se porosia e Dellçevit për botën si fushë për garë kulturore mes popujve, deri sot nuk ka humbur nga aktualiteti i saj dhe e numëron revolucionarin në radhët e humanistëve botërorë.
“Sot, në ditën e vrasjes së revolucionarit maqedonas Goce Dellçev, nderojmë jetën dhe veprën e tij si inspirator dhe iniciator të organizatës revolucionare maqedonase dhe i shprehim nder ndaj kontributit të tij historik për realizimin e idesë historike për të drejtën e maqedonasve që ta realizojnë ëndrrën shekullore për shtet të pavarur”- pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër i rmv-së
E pikërisht sot në ditëvdekjen e revolucionarit, në Sofje u mbajt konferenca “Perspektiva evropiane për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”. Këtu presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, u shpreh se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë.
“Jam i bindur se perspektiva evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk ka alternativë. Ky është qëllimi strategjik jo vetëm i politikës së jashtme bullgare, mund të them edhe i shtetit dhe shoqërisë sonë. (ngjitje 14,12) Si t’ia bëjmë që sa më shpejtë që është e mundur të nisin bisedimet, të japim miratim për bisedimet eurointegruese të Maqedonisë së Veriut, kur njëkohësisht vendosim barrierë të qartë për maqedonizmin, mbrojmë të drejtat e bullgarëve në Maqedoni dhe historinë, kulturën dhe indentitetin”- tha Rumen Radev, president i Bullgarisë.
119 vjetori i vdekjes së Dellçevit sot u kujtua edhe në Bllagoevgrad të Bullgarisë. Para monumentit atje u vendosën lule nga përfaqësues të jetës politike, kulturore dhe shoqërore të qytetit. Drejtori i Muzeut Historik Rajonal të Blagoevgradit, Dr. Kiril Alexiev, tha për BTA se “Dellçev është një nga revolucionarët më të rëndësishëm bullgarë që ndjek idealet e Vasil Levskit, gjë që është evidente në ideologjinë e tij”.
Nga ana tjetër, VMRO-Plovdiv ka ngjitur posterë me fytyrën e Dellçevit në vendet kryesore të qytetit, ndërsa pasdite mbahet marshi me titull “Goce është bullgar”.
