10 vjet premtime për çerdhe në Hasanbeg / Stefkovski: Në 2025-tën do të fillojnë punimet

TË FUNDIT

“Kjo hapësirë e cila gjendet prapa meje është planifikuar për t’u ndërtuar një çerdhe këtu në Hasanbeg, mirëpo tani e disa vite ende nuk kanë filluar punimet”, raporton gazetarja e TV21 Fazile Halili.

Premtime ka pasur gjithnjë, por deri më tani asgjë nuk është punuar. Madje ende nuk janë vendosur as themelet e objektit. Nga mungesa e çerdhes, banorët detyrohen që fëmijët t’i dërgojnë në vendbanime tjera.

Përgjegjësi i fshatit Rexhepali Kadriu, thotë se kandidatët për kryetar të komunës së Gazi Babës kanë 10 vite që premtojnë, por punë s’kanë bërë aspak. Ai po ashtu shton se vendi nuk është i përshtatshëm për çerdhe pasi kanali që gjendet aty, është i hapur.

“Çerdhja në Hasanbeg nuk është ndërtuar asnjëherë vetëm kanë ardhur e kanë gërryer këtu dhe të thonë që do ta bëjnë, do të bëjmë çerdhe me gënjeshtra për t’ua dhënë votat që kinse ka nisur të punohet që të bëhet çerdhja, por çerdhe kurrë nuk kemi parë. Unë kam ardhur në përfundim që vetëm pse jemi fshat shqiptar këtu nuk punohet asgjë në këtë fshat, dhe çfarë çerdhe planifikohet këtu për fëmijët kur kanali këtu është i hapur, këtu nuk ka as kushte për çerdhe”, tha Rexhepali Kadriu, përfaqësues i banorëve të Hasanbegut.

I pyetur rreth çerdhes, kryetari i komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski tha se qeverisja e kaluar lokale e komunës aspak nuk ka punuar për dokumentacionin planor për ndërtimin e çerdhes. Premton se punët do të nisin në vitin 2025.

“Për momentin po punohet për planin urbanistik për ndërtimin e çerdhes në Hasanbeg, në afat prej 4-5 muaj atje do e mbarojmë procedurën dhe në vitin 2025 do të fillojmë ndërtimin e çerdhes së re në Hasanbeg, ajo është një ndër premtimet e mia dhe nuk iki nga ajo”, tha Boban Stefkovski, kryetar i Komunës së Gazi Babës.

Hasanbegu, lagje në verilindje të Shkupit, ka afërsisht 8 mijë banorë, ndërsa e gjithë Komuna e Gazi Babës, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, ka thuajse 70 mijë banorë.