10 ditë, asgjë e re nga hetimi në Onkologji! Për transparencë, Prokuroria do të inkuadrojë tre pacientë

TË FUNDIT

Kanë kaluar 10 ditë nga bastisja e policisë në Klinikën e Onkologjisë, por nga Prokuroria ende nuk ka asnjë informacion rreth dyshimeve për vjedhjen e ilaçeve. Nga atje thonë se procedura po vijon dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe që të jenë më transparentë, pranojnë që të përfshihen tre pacientë nga Onkologjia, me të cilët do të ndajnë drejtpërdrejt detaje nga procedura, provat dhe veprimet e ndërmarra.

“Prokuroria sot do të kërkojë nga organizata joformale përmes së cilës pacientët paraqesin kërkesat e tyre që të zgjedhin tre pacientë onkologjikë, të cilët gjatë gjithë procedurës do të kenë një pasqyrë të drejtpërdrejtë në provat e mbledhura dhe veprimet e ndërmarra. Pacientët do të duhet të nënshkruajnë paraprakisht deklarata që do të garantojnë fshehtësinë e procedurës dhe të dhënat personale në të cilat do të kenë qasje. Mënyra e përzgjedhjes së pacientëve u lihet përfaqësuesve të tyre që paraqitën një kërkesë të tillë”, theksojnë nga Prokuroria Publike Themelore.

Opozitarja VMRO-DPMNE me akuza se edhe në javën e dytë nuk ka përgjigje për skandalin në këtë klinikë.

“Edhe pas 10 ditëve Prokuroria publike nuk del në opinion të ndajë detaje që nuk do ta dëmtonin lëndën, edhe pas 10 ditëve të njëjtit mjekë dhe personel punojnë në klinikë, të njëjtat parti që vendosin drejtorë në atë klinikë vazhdojnë të jenë në pushtet dhe kështu mund të ndikojnë në hetim”, tha Naum Stoillkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM iu kundërpërgjigjën partisë së Mickoskit duke u thënë se po keqpërdorin pacientët dhe po veprojnë në disfavor të hetimit.

“Në vend që ta mirëpresë hetimin, ai vetëm e pengon duke tentuar ta politizojë dhe ngatërrojë me kompetenca inekzistente. Kjo vërteton se Mickoski ka frikë se çfarë do të tregojë hetimi, për gjithçka që është bërë në Onkologji me skemën e tmerrshme të krijuar shumë vite më parë”, thonë nga LSDM.

Për sot në ora 18 është paralajmëruar protestë para Qeverisë dhe Prokurorisë, për siç thuhet, krimit në Klinikën e Onkologjisë. Në protesta do të kërkohet hetim për të gjithë të përfshirët në skandalin e Klinikës për Onkologji.