Ka bërë incizim rëntgen para një muaji në Poliklinikën e Çairit, por rezultatin në CD ende nuk e ka marrë. Kjo po ndodh për shkak se është prishur lexuesi i CD-ve. Një pacient u ankua në redaksinë e TV21 se pritja është e gjatë ndërsa i duhet rezultati për analiza të mëtejme. Incizim tjetër nuk mund të bëj ngaqë rrezatimi është i rrezikshme për shëndetin, shton pacienti.
“Pacientët që bëjnë rentgen pranë Poliklinikës së Çairit nuk mund t’i marrin rezultatet, kjo për shkak se ka dy muaj që është prishur kjo pjesa këtu e kompjuterit dhe nuk mund të nxjerr CD, rezultatet i marrin vetëm përmes raportit të shkruar”, raporton Almedina Ismajli, gazetare TV21.
Për problemin e pyetëm drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit – Shkup. Besim Koka i tha TV21 se bëhet fjalë për një pjesë specifike, e cila pritet të rregullohet deri të hënën.
“Kemi një prishje teknike dhe jemi në procedurë të përmirësimit, por për shkak se duhet disa pjesë të vijnë nga jashtë, janë të porositura nga fillimi i javës tjetër do të mbarojë, mirëpo pacientët kanë marrë shërbim dhe incizimet janë bërë dhe kanë marrë rezultatin mirëpo vetëm CD-në nuk kanë mundur ta marrin. Kemi shërbyer qytetarët, ata kanë marrë rezultatin, vetëm se nuk e kanë CD-në, pasi që të rregullojmë problemin, do të mund të kthehen prapë dhe të marrin sepse ato janë të regjistruara, mund t’i japim edhe më vonë”, tha Besim Koka, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit-Shkup.
Nuk morëm informacion se sa kushton sanimi i këtij defekti për shkak të të cilit pacientët janë lënë pa rezultatet, por Koka tha se pacientët i drejtojnë në poliklinikat e tjera në Shkup.
“Në shtëpinë e shëndetit kemi edhe kabinete të rentgenit kemi edhe në “Bit Pazar” dhe 5 vende tjera, domethënë kush ka pas nevojë u kemi sugjeruar që të shkojnë atje”, pohoi Besim Koka, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit-Shkup.
Sipas informacioneve të TV21 ka dy muaj që lexuesi i CD-ve nuk funksionon. Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali i pyetur për problemin tha është përgjegjësi e menaxherëve të institucioneve shëndetësore.
