1 litër vaj për ushqim mbi 100 denarë! Pandemia i ngriti në qiell çmimet e produkteve ushqimore

TË FUNDIT

Vaji për ushqim është shtrenjtuar për 20 përqind. Gjegjësisht për një litër vaj qytetarët duhet të paguajnë rreth 100 denarë. TV21 vizitoi njërin prej marketeve të Shkupit. Çmimet fillojnë nga 95 denarë, ndërsa njëri lloj i vajit arrin edhe deri 113 denarë.

 Përderisa para disa javëve vaji për gatim kushtonte rreth 80 denarë, sot në raftet e marketeve çmimi i vajit për gatim është mbi 100 denarë.

Ndërkohë qytetarët thonë standardi i jetesës po bie, ndërsa rritja e çmimit të produkteve ushqimore bëhet çdo ditë.

 “Të gjitha produktet janë shtrenjtuar. Perimet, pemët, vaji. Standardi i qytetarëve po bie ndërsa çmimet rriten. Rrogat dhe pensionet nuk rriten”.

 “Është rritur çmimi deri në tavan. Ajo është shpresoj se do të ulet, jetojmë me shpresë”.

“Gjithsesi në qoftë se produktet janë më të lira ajo është më mirë në këtë mënyrë njerëzit mund të furnizohen me gjëra më të lira”.

Profesoresha e ekonomisë Ilire Dauti mbrëmë në Click plus tha se ka rritje të çmimeve të të gjithë produkteve ushqimore në kohë kur qytetarët ballafaqohen me humbej e mëdha për shkak korona krizës.

 “Vaji për 3,5% është rritur dmth nga 60-70 tash është bërë 100 denarë. Pemët 2.1 %, pijet 1%, sheqeri 0,8%, pemët dhe perimet 0.4%. Qytetarët me të gjitha vështirësitë me gjithë gjërat e tjera dhe me humbjet e vendeve të punës, të vetmin burim të ekzistencës që kishin, tash nuk e kanë. E nga ana tjetër ballafaqohem me këtë rritje të çmimeve” tha Ilire Dauti – profesoreshë e ekonomisë.

Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi pranoi se ka rritje të konsiderueshme të vajit por se kjo është për shkak të importit të lulediellit. Shtoi se po bëjnë analiza për të ndikuar në uljen e çmimeve të produkteve vendore ndërsa për produktet e importuara nuk mund të ndërhyjnë.

 “Sa i përket vajit është problem i cili ka të bëjë me çmimet e repromaterialeve dhe lulediellit, lëndë jo të rafinuara i cili importohet nga Serbia dhe Bullgaria dhe kemi një rritje të konsiderueshme. Jemi duke bërë analizat që të ndërhyjmë si shtet për shkak se kemi edhe prodhues vendor por sa i përket importit të lulediellit nuk mundemi të ndërhyjmë pasi që është çmim i cili caktohet në berzë, por me rezerva shtetërore mund të ndërhyjmë”, theksoi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Por jo vetëm produktet ushqimore. Për një kohë të shkurtër dukshëm është rritur edhe çmimi i derivateve të naftës.  Edhe mbrëmë nga mesnata për gjysmë denari u shtrenjtua Eurosuper BS-95, dizeli dhe vaji ekstra i lehtë i amvisërisë. Rritja e çmimit të derivateve të naftës sipas autoriteteve vendore është përshkak të rritjeve të çmimit të derivateve në berzat botërore gjatë 7 ditëve të fundit. Ndryshe çmimet e derivateve të naftës ndryshojnë çdo të hënë.