​Shënohet 14 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

TË FUNDIT

Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO) i Qeverisë maqedonase sot do të shënojë 14 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet dokumenti paqësor që mban gjallë procesin e demokratizimit, mirëkuptimit, tolerancës në vendin tonë. Në këtë përvjetor të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ky dokument na orienton më shumë se kurrë drejt perspektivës së shoqërisë sonë kah integrimi euro-atlantik”, thuhet në kumtesën e SIMO-s.

Sipas SIMO-s, në këtë kohë, Marrëveshja Kornizë e Ohrit duhet të mbetet vizioni ynë për një ardhmëri të përbashkët të të gjithëve, pa dallim etnie, religjioni apo grupi social.

Më 13 gusht 2001, përfaqësuesit e maqedonasve dhe shqiptarëve, bashkë me ata të SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, nënshkruan marrëveshje me të cilën iu dha fund konfliktit disamujor mes forcave të armatosura maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Marrëveshjen e nënshkruan liderët e partive më të mëdha maqedonase dhe shqiptare – Lubço Georgievski (VMRO-D PMNE), Branko Cërvenkovski (LSDM), Arbër Xhaferi (PDSH) dhe Ymer Ymeri (PPD), bashkë me presidentin maqedonas Boris Trajkovski dhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-ve, Francois Leotard dhe James Pardew. Marrëveshja duhej të shërbejë si bazë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, siç janë përfaqësimi në institucione, përdorimi i gjuhës dhe simboleve kombëtare etj.