​Rritja ekonomike për 2015 e pa shpresë

TË FUNDIT

As ky vit nuk pritet të ketë normë të lartë të rritjes ekonomike. Përkundër rritjes sa ishte vitin e kaluar me 0.9 për qind, këtë vit mund të ketë një normë mesatare nga 1.5 për qind deri në 2 për qind. Kështu vlerëson për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.

Ndërsa përfaqësues të qeverisë së Kosovës, thanë për KosvaPress se për mandatin katër vjeçar parashohin të arrin mbi 4 për qind normën e rritjes ekonomike. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në parashikimet e tyre nuk kanë dhënë përqindjen se sa do të jetë norma ekonomike këtë vit.

Sokol Havolli, këshilltarë për ekonomi i kryeministrit Isa Mustafa tha për KosovaPress se këtë vit do të ketë normë më të shpejtë të rritjes ekonomike.

Ndërsa, Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tha për KosovaPress se kur ai ka deklaruar vitin e kaluar se Kosova nuk do të ketë normë më shumë se 1 për qind të rritjes ka marrë kritika të shumta. Ndërsa për këtë vit vlerëson se norma e rritjes mund të arrij maksimumin deri në 2 për qind.

Ai ka pranuar se edhe norma prej 2 për qind nuk do të ketë ndonjë efekt pozitiv dhe që do të ndikoj në përmirësimin e stabilitetit social dhe zhvillim ekonomik.

Sipas të dhënave të BQK-së, thuhet se sa i përket vitit 2015, pritet që ekonomia e Kosovës të përshpejtojë ritmin e rritjes. Kjo rritje, sipas vlerësimeve të BQK-së, p ritet të gjenerohet nga kërkesa e brendshme, ndërsa neto eksportet parashihet të vazhdojnë të kenë kontribut negativ në rritjen e PBB-së.

“Konsumi, si komponentë kryesore e kërkesës së brendshme, pritet që edhe gjatë vitit 2015 të ketë kontributin kryesor në rritjen ekonomike. Investimet, për dallim nga viti i kaluar, pritet të karakterizohen me rritje të konsiderueshme të investimeve publike”, thuhet në raportin financiar të publikuar nga BQK.

Po ashtu, sipas këtyre të dhënave, zvogëlimi i normave të interesit në kredi si dhe lehtësimi I standardeve për aprovimin e kredive nga ana e bankave pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të sektorit privat. Edhe Investimet e huaja direkte, të cilat deri në prill të vitit 2015 shënuan rritje të konsiderueshme, pritet të kontribuojnë në rritjen investimeve./