Shqipëria dhe Kosova vuajnë ende nga modeli i babit ‘primitiv’ që merret vetëm me punët jashtë shtëpisë ndërsa ato brenda ja lë gruas. Në fakt sot të gjitha shoqëritë e zhvilluara nuk bëjnë dallime mes gruas dhe burrit në familje; nuk ka punë të ndara në rritjen e fëmijës; gatimit apo pastrimit, pasi të dy prindërit kanë detyrime dhe përgjegjësi të njëjta.
Fakti që ky mentalitet dhe të tilla tabu mbizotërojnë ende në shumicën e familjeve shqiptare e ka detyruar shoqërinë civile në Shqipëri dhe Kosovë që të ndërmarrin disa nisma dhe fushata sensibilizimi për të sjellë një frymë të re dhe një model ndryshe të rolit të babait në familje.
Iris Luarasi iniciatore e ‘Fushatës së Baballarëve’ në Shqipëri thotë se gjërat kanë filluar të lëvizin edhe në shoqërinë tonë, pasi sot ka shumë baballarë të rinj që e ndihmojnë gruan në shtëpi, si me edukimin e fëmijës ashtu edhe me punët e tjera që ka familja.
Por se kjo frymë duhet ende të përhapet, duke rrëzuar stereotipet e së kaluarës; se burri është burrë dhe nuk bën punët e grave.
Edhe në Kosovë është e njëjta situatë, ku ka ende mentalitet në mënyrën se si ndahen detyrat në familje. E për këtë shoqëria civile në Kosovë ka marrë angazhimin që përmes fushatës së baballarëve të rris rolin e babait në familje dhe të sjell një model të ri, pa paragjykime dhe pa ndasi mes gruas dhe burrit.
Kështu thotë Besnik Leka, nga organizata “Care International” në Kosovë, i cili shton se përfshirja e baballarëve në familje mbi të gjitha ndikon në edukimin e mirë të fëmijëve por edhe në vetë personalitetin e prindërve.
Por fushata e baballarëve nuk synon që ta sjellë ndryshimin menjëherë. Sensibilizimi kërkon kohë, por rëndësi ka që gjërat kanë nisur të lëvizin për mirë, dhe baballarët e rinj e kanë kuptuar që roli i tyre në familje duhet të jetë edhe më i madh, i barabartë me gruan, duke mos kërkuar epërsi apo paragjykime që kanë shoqëruar familjet tona prej dekadash të tëra.
