Akciza e lartë prej 4,5 centëve për litër, të cilën janë të obliguar ta paguajnë kompanitë prodhuese të lëngjeve te frutave, po u shkakton atyre dëme të mëdha financiare dhe afariste, tha sot Aleanca Kosovare e Bizneseve, në konferencën për media në të cilën u shpalosën problemet e këtyre prodhuesve.
Në pres-konferencën tematike “Trajtimi i akcizës në lëngje – stërngarkesë për sektorin e pijeve joalkoolike, njëkohësisht një pengesë e madhe për afarizëm pozitiv”, u tha se me këtë akcizë më shumë fiton shteti sesa vetë prodhuesit dhe nëse kjo vazhdon kështu, atëherë këto ndërmarrje shumë shpejt do të shkojnë drejt falimentimit.
Nënkryetari AKB-së, Bashkim Osmani, tha se edhe sektori i prodhimeve të lëngjeve të frutave, sikur çdo sektor tjetër, po ballafaqohet me probleme të ndryshme, por kryesori është ai i politikave fiskale. Sipas tij, nga kjo gjendje, më shumë fiton shteti sesa prodhuesit.
Ndërkaq, njëri nga prodhuesit më të mëdhenj të lëngjeve të frutave, Devolli Group, është ngarkuar retroaktivisht me 1 milion e 400 mijë euro taksë akcize.
Xhelal Radoniqi, drejtor gjeneral në Devolli Group, tha se nëse paguhen këto taksa, secila nga ndërmarrjet prodhuese të lëngjeve do të falimentojnë.
