​KMDLNj: Të publikohen rezultatet e autopsisë për të vrarët në Kumanovë

TË FUNDIT

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në nëpërmes një komunikate për media ka sqaruar se familjarët e të vrarëve dhe të ekzekutuarve në Kumanovë duke kërkuar bërjen publike të rrethanave të vrasjes së familjarëve të tyre përkatësisht kërkojnë rezultatet e autopsisë.

“Autoritetet maqedonase , përkatësisht ekspertët mjeko-ligjorë e kanë përfunduar autopsinë mirëpo nuk ua kanë dorëzuar familjarëve këto rezultate ndonëse kishte përfunduar identifikimi i të vrarëve e as autoriteteve kosovare. Edhe në Kosovë ka përfunduar autopsia mirëpo, gjithashtu ende nuk janë bërë publike rezultatet e autopsisë të ekspertëve mjeko-ligjorë kosovarë e as që u është dorëzuar familjarëve të viktimave një dëshmi për ekspertizën e përfunduar me rezultatet e saj”, thuhet në deklaratë të KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj gjykimi i të arrestuarve dhe të akuzuarve në rastin e Kumanovës mund të sqarojë disa rrethana të vrasjeve ndërsa vetëm raporti profesional i ekspertëve mjeko-ligjorë do ta zbardhte të vërteten e vrasjes dhe rrethanat në të cilat janë vrarë.

“Autoritetet kosovare nuk kanë të drejtë pafundësisht ta mbajnë sekret raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë kosovarë të cilët e kanë përfunduar autopsinë por duhet t’i bëjnë publike këto rezultatet dhe nuk duhet të lejojnë që ato të politizohen. Autoritetet kosovare gjithashtu nuk janë të detyruara të presin palën maqedonase bërjen publike të rezultateve të autopsisë aq më parë që e drejta për t’u informuar për fatin e familjarëve që janë vrarë apo ekzekutuar në Kumanovë është e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet”, thuhet më tutje në deklaratë.

KMDLNj vlerëson se ambasada e Kosovës në Shkup duhet t’u dalë në ndihmë familjarëve duke iu siguruar informatat e duhura sikur që duhet të kërkojë sqarime për rrethanat e vrasjes së tyre aq më parë që ka dyshime kur, së paku 2-3 individë janë ekzekutuar pasi janë zënë robër.

KMDLNj do të kërkojë sqarime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Forenzikës të Kosovës për rezultatet e autopsisë dhe arsye pse këto rezultat e (raport) nuk u janë dorëzuar familjarëve.

KMDLNj përkrah të drejtën e familjarëve që të sigurojnë raportin e autopsisë nga pala maqedonase dhe ajo kosovare pas së cilës, nëse ka dyshime për vrasjen e tyre, do të kishin mundësi të kërkojnë përgjegjësi për ata që e kanë shkelur ligjin dhe drejtësi për viktima.