Gjendja e jashtëzakonshme mund të vazhdohet? Spasovski s’e ndryshon dekretin, DPMNE i kërcënon zgjedhjet me bojkot

TË FUNDIT

Me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme vazhdojnë të gjitha aktivitet zgjedhore, kështu deklaroi kryeministri teknik Oliver Spasovski. Ai e hodhi poshtë mundësinë që shtyrja e zgjedhjeve të bëhet me ndryshim të dekretit, pasi siç tha Qeveria nuk është institucion dosido dhe se Dekreti për zgjedhjet nuk mund të ndryshohet. Ai nuk tregoi se nëse zgjedhjet do të mbahen më 22 qershor, për shkak se ende nuk ka vendim se nëse të shtunën do të përfundojë ose jo gjendja e jashtëzakonshme.

“Liderët politik duhet ta kenë parasysh se kur sollën vendim për shtyrje të zgjedhjeve, u miratua Dekreti me të cilin u shtynë zgjedhjet. Dhe duhet të dinë të gjithë, se data e zgjedhjeve përcaktohet me përfundimin e gjendjes së jashtëzakonshme. 22 ditë pasi të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, duhet të mbahen zgjedhjet”, tha kryeministri teknik Oliver Spasovski.

Kundër datës së 22 qershorit është edhe opozitarja VMRO-DPMNE. Lideri i kësaj partie Hristijan Mickoski disa herë ka deklaruar se dëshiron zgjedhje më vonë, dhe jo gjatë qershorit. Për këtë ai edhe kërcënoi me bojkotim të zgjedhjeve.

“Konsensus duhet të ketë, kur e kanë sjellë Dekretin nuk ka pasur konsensus sepse përfaqësuesi ynë në Qeveri Teknike ishte i përmbajtur, sepse ka vlerësuar se ai nuk duhet të miratohet. Nëse ata mendojnë se ashtu duhet të menaxhohet me shtetin atëherë le të ju jenë me fat zgjedhjet pa ne”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

Gjendja e jashtëzakonshme do të përfundojë të shtunën, kurse Spasovski nuk deklaroi qartë se a do të kërkohet vazhdimi i saj ose jo, me arsyetimin se ka ende kohë deri ditën e shtunë.

Sipas dekretit në fuqi ligjore parashihet që në momentin kur ndërprehet gjendja e jashtëzakonshme, aktivitetet zgjedhore vazhdojnë aty ku kanë mbetur. Për datën e zgjedhjeve ka pasur edhe takim të liderëve, por pa konsensus dhe pa datë konkrete. Kundërshtimet më të mëdha kanë qenë mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së.