Presidenti amerikan, Barack Obama dhe ministri grek i Financave, Janis Varufaqis zhvilluan një takim të shkurtër dje në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë në kuadër të një ceremonie në kujtim të pavarësisë greke 1830, theksoi një zyrtar amerikan.
Ky zyrtar, i cili u shpreh nën kushtet e anonimatit, nuk dha asnjë detaj tjetër lidhur me këtë takim të rrufeshëm gjatë ceremonisë që nuk ishte e hapur për shtypin.
Zëdhënësi i Obamës, Josh Earnest, kishte nënvizuar dje se një takim zyrtar mes dy krerëve nuk ishte parashikuar.
Duke përmendur një shtrëngim të mundshëm duarsh, ai ironizoi mbi njoftimet e bëra nga Athina lidhur me këtë çështje. “Në kuadër të artikujve të këtyre ditëve të fundit, nëse diçka si kjo ndodh, jam i sigurt se ministri grek i Financave do t’iu informojë”, shtoi ai.
Ministria greke e Financave kishte njoftuar të martën se Varufakis do të zhvillonte një takim privat me presidentin amerikan.
Varufaqis, i pranishëm në Uashington me rastin e takimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore, shfaqi vullnetin e qeverisë për të kryer sa më mirë reformat e kërkuara nga kreditorët me qëllim që ata të zhbllokojnë këstin e ndihmës prej 7,2 milliardë eurosh.
