​Nis bashkëpunimi Ferizaj-Elbasan

TË FUNDIT

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi dhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, u dakorduan të martën që të fillojë jetësimi i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Ferizajt dhe Elbasanit.

Gjatë një vizite në Ferizaj, ambasadori Minxhozi dhe kryetari Svarqa, biseduan për mundësi të shumta bashkëpunimi ndërmjet komunave dhe grupeve të interesit nga Kosova dhe Shqipëria.

Në tetorin e vitit të kaluar, gjatë një vizite në Elbasan, kryetari Svarqa dhe kryetari i Elbasanit Qazim Sejdini, patën biseduar për ngritjen e një partneriteti ndërmjet dy qyteteve në sfera të ekonomisë, arsimit, kulturës, sportit etj.

Si hap i parë i këtij partneriteti, do të jetë vizita e nxënësve elbasanas, por edhe nga qytete të tjera shqiptare në Ferizaj më 9 maj të këtij viti. Ata pritet që, të shoqëruar nga nxënës ferizajas, të vizitojnë ndonjë shkollë, muzeun e qytetit, fenomenin e Bifurkacionit të Nerodimes etj.

Ndërsa në perspektivën e partneritetit, pritet këmbimi i një kontingjenti nxënësish ferizajas dhe elbasanas të shkollave të mesme, për ta kaluar një vit shkollor në qytetet reciproke. Por kjo gjë tash për tash është një ide, e cila do të diskutohet me ministritë e arsimit të të dyja vendeve ka bërë të ditur zyra për informim e kryetarit.

Kryetari i Ferizajt, Svarqa dhe ambasadori shqiptar, Minxhozi, u pajtuan se ekzistojnë mundësi të shumta të pashfrytëzuara bashkëpunimi, që do të sillnin përfitime të dyanshme.