Marrëveshja që ka nënshkruar Komuna e Prishtinës me kompaninë IQ – to – Link, ka rezultuar me hapjen e 220 vendeve të reja të punës.
Sipas një njoftimi për media të kësaj komune, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka thënë se synim strategjik i Komunës së Prishtinës është që ajo të shndërrohet në qendër të shërbimeve “out – source”.
Ai tha se do t’u krijohen kushte edhe kompanive të tjera që janë të interesuara për nënkontraktimin e shërbimeve pasi që në Komunën e Prishtinës ekziston një potencial i madh i të rinjve që do të punësoheshin në këto kompani.
Ky projekt ka të bëjë me një qendër të thirrjeve për kompaninë e njohur ndërkombëtare Deutsche Post DHL group, ndërsa Komuna e Prishtinës përmes Ndërmarrjes Publike Banesore i ka ofruar kushtet që kjo kompani t’i hap këto vende të punës në Prishtinë, e jo në ndonjë vend tjetër të regjionit.
Në fazat e ardhshme pritet edhe rritja e numrit të punësuarve në kompaninë IQ – to – Link.
