Deputeti socialist, Pandeli Majko, ish kryeministër i Shqipërisë në kohën e luftës së Kosovës, ka reaguar sot mbi pastërtinë e kauzës për liri të Kosovës, dhe mbi heronjtë e vërtetë që u flijuan për Kosovën.
Përmes një statusi në Facebook Majko shkruan se ky nuk është momenti i duhur për të folur për këtë çështje, pasi Shqipëria dhe Kosova kanë të tjera çështje imediate.
Sipas Majkos sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja. Kjo dhe të tjera, thotë ai, janë arsyeja pse debatet shterpe me “heronj” dhe “tradhtarë” për luftën e Kosovës janë në kohën dhe vendin më të keq për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon.
Statusi i plotë i Pandeli Majkos
“Lexova në media që ‘veterani’ i Luftës së Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm Presidentin e nderuar Rugova; që Ibrahim Rugova të ketë qenë ‘tradhtar’ i Kosovës, kjo është po aq e vërtetë sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë. Sot Kosova dhe publiku shqiptar duhet të përgatiten për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare. Ajo do të gjykojë protagonistët e Luftës së shqiptarëve. Kjo është padyshim një ngjarje e rëndë. Të gjithë duhet të jemi në krah të UÇK-së, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës së lirisë së Kosovës për të cilën u flijuan heronjtë e vërtetë të Kosovës. Sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja. Kjo dhe të tjera, janë arsyeja që mendoj se debatet shterp me “heronj” dhe “tradhtarë” për Luftën e Kosovës janë në kohën dhe vendin më të keq për momentin që po kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon. Shpresoj të jetë rastësi”, ka shkruar Majko.

