Elkos Group hapi sot objektin e qendrës tregtare të ETC-së në Gostivar, duke u bërë kështu objekti i dytë në Maqedoni, pas asaj në Shtip.
Kjo qendër e cila u cilësua si mundësi për të përmirësuar edhe më tutje bashkëpunimin ekonomik në mes Kosovës dhe Maqedonisë si dhe ekonominë e Gostivarit, ka hapësirë mbi 6 mijë metra, ka kushtuar 6 milionë euro dhe ka punësuar 100 punëtorë.
Me këtë rast, drejtori i Elkos Group, Ramiz Kelmendi, falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në hapjen e këtij objekti duke premtuar që do të vazhdojë edhe më tutje me investime në Maqedoni, duke hapur edhe pika të tjera të ETC-së.
Ai shtoi se në këtë pikë do të ketë edhe artikuj të Republikës së Kosovës, ashtu siç ka artikuj të Maqedonisë në Kosovë.
E kryetari i Komunës së Gostivarit, Nefzat Bejta, tha se qendra e sapo hapur e ETC-së i ka dhënë një pamje shumë të bukur qytetit të tij.
E Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, tha se në këtë mënyrë Kosova dhe Maqedonia do të jenë më pranë njëra tjetrës, ashtu siç edhe e meritojnë.
Elkos Group, përveç Maqedonisë ka investuar edhe në Shqipëri me hapjen e ETC-së në Fier, dhe në Mal të Zi me ETC në Rozhajë./kp/
