Pasi përshkuan 45 kilometra rrugë, ushtarët britanikë dhe ata të FSK-së aktivitetin e tyre nisur në mëngjes e përfunduan në sheshin e Prishtinës të shtunën pasdite.
Ky aktivitet është mbajtur me qëllim të rikujtimit të hyrjes së trupave paqeruajtëse të ushtrisë britanike në Kosovë, të njohura si Rojet e Uellsit. Ushtarët britanikë të KFOR-it dhe pjesëtarët e FSK-së marshuan të gjitha rrugët ku ka kaluar njësiti britanik gjatë operimit në Kosovë. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë tha se po bashkëpunojnë ngushtë me Kosovën me qëllim të përmirësimit të situatës, por është koha që Kosova t’i marrë vet përgjegjësitë për të ardhmen.
Pasi ecën gjatë gjithë ditës, në orët e para të mbrëmjes ata u pritën në sheshin e Prishtinës nga ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell.
Ambasadori, duke folur për historinë e njësitit britanik Rojet e Uellsit në Kosovë, shtoi se marrëdhëniet mes Britanisë dhe Kosovës janë të afërta dhe se po punojnë me qëllim të përmirësimit të situatës në Kosovë.
“Tash kemi mardhënie shumë të ngushta, po punojmë të përmirësojmë situatën në Kosovë, për t’i shfrytëzuar mardhëniet që kemi pas, për të krijuar një strukturë stabile të aftë në Kosovë…..Unë kam qenë këtu kur batalioni që është sot prezentë ka qenë në Kosovë, në 2006. Unë e shoh kontributin që ka dhënë ushtria britanike për zhvillim në Kosovë. Tash është koha kur kosovarët duhet të marrin përgjegjësinë për të ardhmen e tyre”, tha ai.
Marshi filloi herët në mëngjes në liqenin e Batllavës ku vazhdoi për 45 kilometra për të përfunduar në Prishtinë.
