Zyrtarë të tanishëm në listën e zezë të SHBA-ve? Kryeministri përgjigjet shkurt: Nuk përjashtohet kjo mundësi!

TË FUNDIT

A ka gjasa që në listën e zezë të ShBA-ve të gjenden edhe zyrtarë aktualë, pas vizitës së fundit të ekipit amerikan të sanksioneve? Zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska, këto ditë tha se kabineti i saj ka iniciuar tre procedura për keqpërdorime nga ana e funksionarëve. Në një formë, edhe Presidenti Stevo Pendarovski dje gjatë fjalimit të tij vjetor në Kuvend, e ceku këtë çështje, duke thënë se nuk do të ketë drejtësi derisa disa politikanë aktual nuk përfundojnë në burg për korrupsion. Kryeministri Dimitar Kovaçevski me përgjigje të shkurtër. Thotë se është e mundur të ndodhë kjo!

“Nuk përjashtohet kjo mundësi. Unë nuk jam takuar me hetues, kështu që…

Gërkovska nuk ka thënë se ka ngritur padi penale, me sa di unë, por se ajo ka pranuar padi, të cilat pastaj i procedon në përputhje me kompetencat e saj në institucionet kompetente”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Të nxitur nga vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit për shfuqizim të aktgjykimit të Sasho Mijalkovit për rastin “Target-Fortesa”, pas çka u ngjallën reagime të shumta në opinion, dje edhe Presidenti Pendarovski tha se nuk do të ketë drejtësi derisa janë në liri gjykatës dhe prokurorë që sjellin vendime skandaloze, e pas të cilëve, me shumë siguri fshihen motive korruptive. Kovaçevski, edhe pse tha se nuk do të komentojë deklarata, megjithatë shtoi se pajtohet me qëndrimin e këtillë të shefit të shtetit.  

Sa u takon disa pjesëve të fjalimit të Presidentit, nuk do të doja të komentoja, sepse bëhet fjalë për fjalim të Presidentit të vendit, por mund të them se me vizionin për Maqedoninë e Veriut si shtet europian, në të cilin sundon prosperiteti ekonomik, në të cilin sundon drejtësia sociale, në të cilin sundon rendi dhe drejtësia dhe në cilin sundon demokracia, ai është një vend-anëtar i Bashkimit Europian. Po pajtohem me Presidentin”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Edhe hulumtimi i fundit i IRI tregoi se qytetarët kanë besim të ulët në gjyqësor dhe prokurori.