Ndonëse është Shoqatë për personat me nevoja të veçanta, zyrat e saj janë të vendosura në katin e dytë të ndërtesës, e cila nuk ka ashensor. Këtë zyrë, shoqatës “Bashkërisht mundemi” ia ka dhënë Komuna e Gostivarit.
Personat me nevoja të posaçme, për çdo ditë janë të detyruar të ngjiten në katin e dytë, përmes shkallëve. Për tu ngjitur Ivica Srezoski deri në katin e dytë i duhen 15 minuta. Atij javën e kaluar i rrëshqiti këmba dhe përfundoi në spital.
“Rrëshqita në shkallën e fundit, kështu që përfundova në gjunj. Nëse do të kishte më shumë shkallë, do të isha rrokullisur poshtë. Kishte dritë, por këtu është shumë lart për t’u ngjitur. Për tu ngjitur lart disi ja bëjmë por kur duhet të zbresim poshtë me shumë vështirësi e bëjmë pasi që nuk ka pranga në njërën anë. Për neve është shumë vështirë”, tha Ivica Srezoski.
Hirbije Sulejmani thotë se çdo ditë vjen me frikë dhe e tmerruar se do të rrëshqet nëpër shkallë.
“Është e tmerrshme që çdo natë të vish këtu lart në katin e dytë. Vërtetë na duhet një zgjedhje me një zyrë që është në katin përdhesë. Jo vetëm unë që jam me shtaga, që unë sado kudo unë e kam mundësinë t’i kaloj ato shkallë edhe pse me shumë vështirësi dhe me shumë frikë që mos të rrëshqas dhe të bëj më shumë dëm. Ka prej tyre që janë me karroca dhe kanë dëshirë të na bashkohen dhe nuk e kanë mundësinë”, u shpreh Hirbije Sulejmani.
Shpend Salija nga organizata “Bashkërisht mundemi” thotë se personat me nevoja të posaçme janë të diskriminuar nga institucionet shtetërore. Ai kërkon nga Komuna që sa më shpejtë të rregullohet zyra e cila do të jetë e përshtatshme për këta persona.
“Vështirësia është shumë e madhe. Në qoftë se flasim për këto që janë me shtaga, sado pak munden, por u duhen 15 minuta që Ivica të vije këtu. Kur është në pyetje ato me karroca? Ato s’kanë aspak qasje. Ne ishim të akredituar nga KSHZ vëzhgues ishin edhe persona me nevoja të posaçme. Qëllimi ynë ishte qasja nëpër institucionet shtetërore. Janë të diskriminuar në çdo sferë”, theksoi Shpend Salija, kryetar i OJQ “Bashkarisht Mundemi”.
Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari thotë se zyra përdhesë do të hapet për një deri dy muaj pasi që ka mbetur vetëm puna teknike.
“Shpresoj se për një muaj po përgatitet një zyrë poshtë në katin përdhesë, për të cilën ne duhet të investojmë. T’i kalojmë të gjitha procedurat ligjore. Aty do të jenë dy zyra njëra do të jetë për njerëz me nevoja të veçanta në moshë dhe tjetra do të jetë për njerëz të cilat kanë probleme me të pamurit”, deklaroi Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit.
Përderisa Komuna e Gostivarit po e finalizon zyrën, personat me nevoja të posaçme çdo ditë me vështirësi ngjiten në katin e dytë për t’i realizuar aktivitetet e tyre.
Përgatiti: Arbana Q.Klimenta
