Zvogëlohet numri i martesave të lidhura gjatë pandemisë

TË FUNDIT

I madh është numri i qytetarëve  të cilët këtë vit  nuk e kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë për shkak të pandemisë së koronavirusit  që zgjat më shumë se dhjetë muaj.  Me ndalesën e tubimeve masive dhe ahengjeve erdhi deri te anulimi i dasmave dhe fejesave të caktuara praprakisht,  ndërsa i vogël është numri i atyre të cilët  vendosën të lidhin martesë vetëm para  ofiçarit.

Këtë vit, siç thonë nga Drejtoria për udhëheqje të librave amë, numri i martesave të lidhura  është 7000, që është rreth 4500 më pak nga viti i kaluar.

Për lidhje të martesës gjatë pandemisë u vendosën edhe protokolle. Prania e mysafirëve ishte  reduktuar në minimum me respektim të masave  për mbrojtje, si mbajtja e distancës, mbajtja e maskave dhe dezinfektimi.

“Në regjistrim mund të marrin pjesë ofiçari, partnerët dhe  dy dëshmitarët e tyre. Të pranishmit  duhet të mbajnë maska dhe doreza dhe të mbahet distancë prej dy metra me ofiçarin.  E njejta vlen edhe për në salla dhe terren në vend të hapur,  ndërsa kur janë në vend të hapur munden edhe pesë-gjashtë persona në distancë me maska. Ceremonia është shkurtuar në 10 minuta”, potencojnë nga Drejtoria.

Dhe përderisa numri i martesave të lidhura është zvogëluar, në tremujorin e  tretë të këtij viti është regjistruar rritje e numrit të divorceve.

“Në periudhën prej tre muajve janë marrë 357 raporte për  çifte të divorcuara që paraqet rritje prej 8,5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë  të vitit të kaluar, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë. Më së shumti  procedura për divorce janë regjistruar në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.