Zona industriale në Vizbeg pa infrastrukturë! Aliu: Kushtet pamundësojnë investimet dhe pengojnë bizneset

TË FUNDIT

“Ndodhemi në zonën industriale në Vizbeg e cila tashmë disa vite ballafaqohet me probleme infrastrukturore e të njëjtat nuk po zgjidhen”, raporton Remzije Bilalli, gazetare e TV21.

Ka problem me kanalizimin, ujësjellësin dhe rrugët.

Nuhi Aliu, kryetari i shoqërisë së pronarëve të zonës industriale në Vizbeg, thotë se punët për kanalizimin dhe ujësjellësin kanë përfunduar, por edhe pas një viti kompanitë ende nuk janë kyçur, e kjo sipas tij për arsye procedurale.

“Ne si shoqatë e zonës industrial të Vizbegut nuk jemi të kënaqur për arsye se nuk janë bërë punët të cilët ne i kemi kërkuar. Të na kyçin si ndërmarrje në ujësjellës dhe kanalizim se me të vërtet në shekullin 21, ne ende duhet të flasim për kësi lloj problemesh për infrastrukturë, ujësjellës për kanalizim në kohën kur teknologjia ka shkuar aq larg”, tha Aliu.

Aliu tregon për TV21 se kanë kërkuar takime me organet kompetente, për të folur përse kompanitë nuk po kyçen. Sipas Aliut kjo është ndër zonat që gjeneron më shumë të ardhura në shtet, andaj duhet sa më shpejt të ndërhyhet sepse mungesa e infrastrukturës pengon bizneset.

“Ka disa parametra që me të vërtetë flasin se kjo zonë meriton një vëmendje më të madhe nga ana e institucioneve. Çdo ditë ankohen biznesmenët se i dëmtojnë gomat, vijnë edhe deri te shpërthimi gomave sepse me të vërtetë rruga është katastrofale dhe kërkon urgjentisht ta bëjmë një shtresë asfalti”.

Kjo zonë shtrihet në 2 komuna të Shkupit, atë të Butelit dhe Çuçer Sandevës. Nga Komuna e Butelit, thonë se është duke u miratuar plani i detajuar urban, i cili është në fazën përfundimtare, e që do të mundësojë zhvillimin shtesë të zonës industriale.

“Sa i përket projekteve, janë nisur projektet për një pjesë të rrugëve në zonë industriale, dhe për rrugën anësore e cila është edhe rruga kryesore. Pas përfundimit të dokumentacionit të projektit do të aplikohet për projekte nga Banka Botërore në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve. Për rrugët e tjera, sipas dinamikës dhe mjeteve të parashikuara në buxhet, ato do të realizohen në periudhën e ardhshme”, thonë nga Komuna e Butelit.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për TV21 lëvdohen se po investohet vazhdimisht në përmirësimin e kushteve në këtë zonë. Sipas tyre, për ndërtimin e infrastrukturës komunale në zonë janë investuar 213 milionë denarë. Është ndërtuar ujësjellës në vlerë prej 117,6 milionë denarë, si dhe është ndërtuar kanalizimi në vlerë prej 95,5 milionë denarë.