Vazhdojnë ende negociatat mes partnerëve qeveritarë ZNAM dhe VMRO-DPMNE lidhur me zgjedhjet lokale. Edhe pse partia e Maksim Dimitrievskit ka deklaruar se do të garojë e pavarur, megjithatë, do të ketë mbështetje të ndërsjellë, sepse, siç tha zëdhënësi i ZNAM-it Nikolla Memov, atje ku ZNAM do të ketë kandidat, VMRO-DPMNE nuk do të ketë, por do të japë mbështetje që në rrethin e parë. Sipas informacioneve, ZNAM do të ketë kandidat të vetin për Komunën Qendër, gjë që do të thotë se VMRO-DPMNE nuk do të garojë në këtë komunë të Shkupit.
“Nëse kandidati për kryetar të komunës Qendër do të jetë nga radhët e ZNAM, atëherë VMRO-DPMNE nuk do të ketë kandidat për Komunën Qendër. E njëjta gjë do të vlejë edhe për komunat tjera, atje ku ne si ZNAM do të kemi kandidatin tonë, kjo praktikisht do të thotë pjesëmarrje e pavarur e ZNAM-it me mbështetje të ndërsjellë nga partneri qeveritar VMRO-DPMNE”, tha Nikolla Memov – zëdhënës i ZNAM.
