Rikonstruimi i Qeverisë do të bëhet i ditur javën e ardhshme, respektivisht pas seancës së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së që duhet të mbahet të martën. Kështu tha kryeministri Hristijan Mickoski, ndonëse më parë riorganizimi i kabinetit të ri qeveritar pritej të ndodhte këtë fundjavë. Ai nuk zbuloi nëse është arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit rreth ndryshimit të ministrave.
“Të martën do të kemi seancën e Komitetit Ekzekutiv, megjithatë këto janë vendime politike që duhet të merren në nivel politik dhe vetëm pastaj t’i operacionalizojmë në kuadër të Qeverisë. Kështu që të martën, fillimisht të kalojë seanca e Komitetit Ekzekutiv dhe vetëm pastaj të themi cilat janë resorët dhe cilat janë emrat”, tha Hristijan Mickoski
Jozyrtarisht thuhet se ende nuk ka marrëveshje me partnerin qeveritar ZNAM, i cili nuk pajtohet të lërë resorin e drejtësisë, respektivisht ministri Igor Fillkov të lërë këtë pozitë. Nga kjo parti thonë se për momentin ende nuk kanë marrëveshje dhe se në bisedime të gjitha temat janë të hapura.
“Ne kemi pasur disa takime në nivel lidershipi partiak dhe ekipet negociuese vazhdimisht bisedojnë mes ZNAM-it dhe ekipit negociues të VMRO-DPMNE-së të udhëhequr nga kryeministri Mickoski. Në tavolinë janë të gjitha temat e hapura. Nuk ka marrëveshje përfundimtare për asnjë çështje. Bisedat vazhdojnë në ditët e ardhshme dhe presim zgjidhje të të gjitha çështjeve drejt mesit të javës së ardhshme”, tha Nikola Memov
Nga emrat që përmendet se do të përfshihen në rikonstruim janë edhe ministri i Shëndetësisë Azir Aliu dhe ai i Kulturës Zoran Ljutkov.
“Çdo ditë kur vij në punë jam i vetëdijshëm se mund të jetë dita e fundit nga pikëpamja politike, nga funksioni i ministrit. Kjo është çështje institucionale, jo çështje personale, sepse unë nuk aplikova, nuk kishte konkurs që të aplikoja për t’u bërë ministër, por ky është funksion politik dhe në fund të ditës prandaj është institucionale dhe institucionet duhet të përgjigjen se kush do të jetë në krye të një ministrie — në këtë rast të Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi Azir Aliu
“Procesi është në rrjedhë, negociatat po zhvillohen, kështu që shpresoj se deri në fund të kësaj jave do t’i keni të gjitha informacionet e nevojshme. Ne jemi në mes të procesit. Siç thashë, negociatat ende vazhdojnë. Do të shohim. Sido që të jetë, çfarëdo që të ndodhë, unë jam gjithmonë këtu dhe qëndroj pas kulturës”, u shpreh Zoran Ljutkov
Ditëve të fundit bashkëkryetari i VLEN-it Bilall Kasami deklaroi se pozicioni i partisë me rikonstruimin e Qeverisë do të jetë shumë më e mirë se sa që ka qenë deri tani. Ai tha se janë në fazën përfundimtare të mbylljes së marrëveshjes dhe se si partner qeveritar do të drejtojnë 6 ministri, dhe se njëra nga ministritë që e kanë kërkuar është resori i kulturës.
