Zjarr i madh mëngjesin e sotëm u përhap nga bodrumi i një ndërtese në Çair të Shkupit.
“Zjarr ka shpërthyer në një ndërtesë banimi këtu në Çair të Shkupit. Fatmirësisht nuk ka viktima dhe të lënduar rëndë, megjithatë ka qytetarë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë dërguar në toksikologji. Zjarri ka shpërthyer në ora 2 pas mesnatës ndërsa shumica e banorëve janë evakuuar vet me organizim të tyre nëpërmjet shkallëve normale të banesës ndërsa të tjerë që banojnë në katët më lartë janë evakuuar pas 6 orëve, gjegjësisht rreth orës 8:00 me ndihmën e shkallëve të kamionit i cili shihet këtu prapa meje, pra me shkallët e kamionit zjarrfikës”, raporton Zekirija Haxhiu, gazetar i TV21.
Banorët në mes lotësh tregojnë për “ferrin” që kanë përjetuar derisa përmes tymit kanë braktisur banesat.
Zjarrfikësit disa orë kanë luftuar me zjarrin. Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Qytetin e Shkupit, Zvonko Tomevski tha se janë djegur rreth 1000 m2, ndërsa tha se po ballafaqohen me temperatura të larta.
Përshkak thithjes së tymit, gjithsej 43 persona janë hospitalizuar pas zjarrit. Në Klinikën e Toksikologjisë janë pranuar 31 pacientë, prej të cilëve pesë janë mbajtur për mjekim ndërsa në Klinikën e Fëmijëve janë pranuar 12 fëmijë, dy prej tyre janë mbajtur për mjekim të mëtejmë. Nga tymi ka pësuar edhe një zjarrfikës dhe i njëjti është dërguar në Toksikologji. Të gjithë pacientët janë në gjendje stabile.