Zjarr nën urën “Bellasica”, Angellov: Dyshojmë se shkaku është faktori njeri

TË FUNDIT

Kështu dukej ura “Bellasica” mbrëmë në mesnatë.

Zjarri e kaploi pjesën e poshtme të urës në qendër të Shkupit, në afërsi të qendrës tregtare “East Gate Mall”.

Janë djegur disa instalime elektrike si dhe gypat e ngrohjes, e i vogël nuk është as dëmi që iu shkaktua urës.

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov, njoftoi se me shumë mundësi shkaku i zjarrit ka qenë faktori njeri pasi aty kanë qëndruar persona të pastrehë.

Në këtë moment, edhe në opinion dëgjova disa spekulime. Gjithsesi se njëra prej mundësive është lidhja elektrike, kabllot me tension të lartë diçka që shumë pak është e besueshme dhe mundësia e dytë, sepse nga ajo që mund të shohim poshtë ka disa dyshekë dhe batanije, dmth kanë qëndruar njerëz nën urë. Eventualisht ndoshta arsyet janë faktori njeri. MPB do të sqarohet se cilat janë arsyet për shkaktimin e zjarrit”, tha Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Angellov thotë se për shkaqe sigurie prej sot ura do të jetë e mbyllur për si për veturat poashtu edhe për këmbësorë, derisa të verifikohen të gjitha dëmet dhe të konfirmohet nëse ura ka kushte për t’u sanuar apo duhet të rrënohet plotësisht.

Nga këto arsye, Qyteti i Shkupit solli vendim së pari për mbyllje të komunikacionit për të gjitha automjetet përmes kësaj ure ndërsa para pak minutash për mbyllje të tërësishme të urës. Kështu që në minutat në vijim nga ana e policisë ura do të jetë tërësisht e mbyllur për lëvizje edhe për këmbësorë edhe për vetura. “Safety first”, siguria e qytetarëve në vend të parë”, pohoi Stojançe Angellov, drejtor i Qendrës për Menaxhim me Kriza.

Ministria e Punëve të Brendshme deri tani vetëm ka njoftuar për zjarrin por duke mos dhënë detaje për atë se cilat mund të ishin shkaqet. Përndryshe për shuarjen e zjarrit në teren ishin 21 zjarrfikës me gjithsej 8 automjete. Zjarri ka shpërthyer në ora 23:57 ndërsa tërësisht është shuar në ora 04 e mëngjesit.