Një zjarr i madh ka shpërthyer vonë mbrëmë në Qytetin e Shkencave në Paris. Zjarri ka përfshirë më shumë zona në disa nivele në të cilat po zhvillohen punë ndërtimore.
“Bëhet fjalë për salla ekspozitash dhe kinemaje. Sistemi i zjarrfikjes nuk ka funksionuar për shkak të punëve ndërtimore”, ka sqaruar sot në mëngjes zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës të Parisit.
Në vendin e zjarrit, që gjendet në arondismanin e 19-të të Parisit, kanë dalë forca të mëdha zjarrfikëse, gjithsej 120 zjarrfikës me 30 makina janë mobilizur në orën 02:30. Katër orë më vonë zjarri nuk ishte lokalizuar, ndërsa raportohet për dy zjarrfikës që kanë pësuar lëndime të lehta.
I vendosur në Parc de Villette në Parisin verilindor, Qyteti i Shkencave është një nga muzetë më të mëdha të shkencave në Evropë.
