Zjarr në një hotel në Vlorë, 7 të plagosur

TË FUNDIT

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë gjatë orëve të para të mëngjesit një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, duke shkaktuar panik të madh mes pushuesve dhe turistëve si dhe duke lënë disa persona të plagosur.

Sipas RTSH, flakët dyshohet se kanë nisur në katin e parë të objektit, ku ndodhej një lokal, dhe më pas janë përhapur me shpejtësi drejt katit të dytë, ku ndodheshin dhomat e hotelit. Brenda pak minutash, tymi i dendur dhe flakët përfshinë pjesë të ndërtesës, duke i detyruar pushuesit të largoheshin me nxitim.

Situata u bë veçanërisht e rrezikshme për personat që ndodheshin në katet e dyta. Në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, dy persona u detyruan të hidheshin nga ballkoni. Ata kanë pësuar dëmtime dhe fraktura dhe janë marrë nën kujdesin e mjekëve.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë kaotike, me pushuesit që dalin të alarmuar nga hoteli, ndërsa tymi i zi dhe flakët përfshijnë ndërtesën. Në zonë mbërritën forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve dhe nxjerrjen e personave nga godina.

Pas ngjarjes, 7 persona kanë mbetur të plagosur, gjashtë prej tyre shqiptarë të Kosovës dhe një nga Rrësheni. Gjendja më e rëndë raportohet për një vajzë të re, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit. Një tjetër pacient ka djegie në rreth 50% të trupit.

Pasi kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës, 5 prej tyre janë nisur më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Dy të dëmtuar janë transportuar në Qendrën e Traumës, ndërsa tre të tjerë janë dërguar në repartin e djegieve në QSUT. Një tjetër person vijon të trajtohet në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.

Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka treguar për situatën me të cilën u përball stafi mjekësor pas mbërritjes së të plagosurve.

“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë”, tha mjeku.

Breshanaj bëri me dije se dy pacientë u nisën drejt Qendrës së Traumës për shkak të dëmtimeve të marra nga rënia, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve.

“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, u shpreh shefi i Reanimacionit.

Ende nuk dihen rrethanat e plota dhe shkaku i saktë i rënies së zjarrit. Autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar se çfarë shkaktoi zjarrin dhe nëse në objekt ishin respektuar të gjitha masat e sigurisë.