Të mërkurën, në shtetin federal Oregon të ShBA-ve, shpërtheu zjarr i tmerrshëm i cili ka shkatërruar dhjetëra shtëpi. Mijëra të tjera janë në rrezik, pasi flakët ende nuk janë vënë nën kontroll. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 860 km2, që paraqet sipërfaqe më të madhe se territori i gjithë Nju Jorkut, transmeton TV21.
“Mënyra më e mirë për ta përshkruar përhapjen e zjarrit gjatë mandatit tonë këtu…. zjarri përhapej si një deri në tre zjarre në ditë”, tha Bert Tajer – shef i operacioneve zjarrfikëse në Oregon.
Janë evakuuar më shumë se 2.000 njerëz. Tim dhe Di Mekarli, në pasqyrën e pasme të veturës së tyre kanë parë se zjarri “gëlltiste” pemë. Siç rrëfejnë, nga zyra e sherifit lokal u kanë thënë se nëse nuk largohen në kohë, ndoshta nuk do të mbijetojnë.
“Mblodhëm çfarë mundëm, i morëm macet… Zjarri u përhap këtu. U dëgjua zhurmë. Ishte si një tren mallrash. Kurse flaka afrohej në drejtimin tonë. Edhe tymi ishte i tmerrshëm. Kështu që u futëm në veturat tona dhe ikëm”, shtoi Di Mekarli – banor i zonës së prekur.
Zjarrfikësit tashmë disa ditë me radhë po luftojnë ta shuajnë zjarrin. Por, përveç flakëve, luftojnë edhe me temperaturat e larta dhe erën të cilat ua vështirësojnë punën. Autoritetet kompetente kumtuan se gjatë natës të së premtes zjarri ka shkatërruar 67 shtëpi dhe 117 ndërtime të tjera, kurse në rrezik mbesin edhe 5.000 amvisëri dhe objekte më të vogla. Ky zjarr është një nga dhjetëra zjarret që janë aktive në Uashington, Oregon dhe Kaliforni. Gjatë periudhës së kaluar, sipas Qendrës Kombëtare Kundër Zjarrit, në ShBA ka pasur mbi 70 zjarre të mëdha të cilat kanë shkatërruar sipërfaqe prej 1659 hektarëve./TV21
