Një zjarr i madh shpërtheu sot në një uzinë të kompanisë japoneze ”Nippon Steel and Sumitomo Metal” në Kawasaki, në jug të Tokios, jo shumë larg aeroportit ndërkombëtar ”Tokyo Haneda”, theksuan zjarrfikësit.
“Ne u lajmëruam se një zjarr kishte shpërthyer në një kullë të ftohjes”, theksoi një zyrtar, ndërkohë që televizioni publik NHK ka treguar imazhe të një reje të madhe tymi të zi që përhapej në zonën industriale në flakë.
Stacioni televiziv theksoi se asnjë i plagosur nuk ishte njoftuar.
Bëhet fjalë për një uzinë të filialit të quajtur ”Nippon Steel and Sumikin Pipe” që prodhon veçanërisht tuba. Ajo shtrihet në një sipërfaqe prej 20 800 metra katrorë.
Ky zjarr shpërtheu disa orë pas një shpërthimi në një depo ushtarake amerikane pranë Tokios.
