Ziadin Sela e lëshon AKI-në! Thonë se do të mbeten opozitë, në mbrojtjen e kauzës kombëtare

TË FUNDIT

Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës e lëshoi koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim. Vendimin e sollën në mbledhjen e Kryesisë, ku kanë folur edhe për rezultatin në zgjedhjet lokale. Shprehen të kënaqur me numrin e votave dhe mandateve të këshilltarëve, por të pakënaqur me rezultatet për kryetarë komunash. Sipas ASH-Sela, gara u ndikua nga një inxhinjering shtetëror dhe bashkëpunim i partive shqiptare në pushtet me ato maqedonase, me synim realizimin e platformës së VMRO-së për defaktorizimin e shqiptarëve në vend. Edhe pse dalin nga AKI, kumtuan se do të mbeten në opozitë në mbrojtjen e kauzës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Pas diskutimeve përmbajtësore dhe shumë të rëndësishme, anëtarët e Kryesisë në mënyrë unanime sollën vendim për veprim autonom të Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ditëve në vijim deputetët e ASH do të procesojnë në Kuvend edhe vendimin për veprim si grup i pavarur. Aleanca për Shqiptarët mbetet zëri i fuqishëm opozitar i shqiptarëve, duke ruajtur komunikimin me subjektet opozitare shqiptare, për çka në kohë kemi njoftuar edhe partnerët tanë të deritanishëm të koalicionit”, theksoi Ziadin Sela, Kryetar – Aleanca për Shqiptarët.

Nga BDI e mbështesin vendimin dhe presin që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tej si subjekte opozitare.

“Ne kemi pasur dhe kemi një bashkëpunim dhe komunikim të shkëlqyeshëm. Ata duan dhe kanë vendosur që ti kthehen vetvetes, gjë të cilën ne e përshëndesim, e përkrahim, që bashkërisht, të gjitha subjektet opozitare, të gjitha këto zhvillimet që ndodhin në shtet që bashkërisht ta rikthejmë situatën në realitet, pasi jemi dëshmitarë se në shumë fusha, në shumë drejtime, për të cilat kemi folur në kontuinite, ka regres jashtëzakonisht të madh”, theksoi Blerim Bexheti nga AKI.  

Nga ana tjetër, koalicioni shqiptar në pushtet – VLEN, këtë largim të ASH-së e sheh si hyrje “në fazën e shpërbërjes së pashmangshme” të AKI-së dhe si tregues se koalicioni është në krizë të thellë të brendshme, pa kohezion dhe pa ofertë politike të qëndrueshme.

“Moskordinimi i tyre i vazhdueshëm është bërë tashmë model i dështimit, jo vetëm që nuk arrijnë të formësojnë një drejtim të përbashkët, por çdo ditë dëshmojnë se ky koalicion ka funksionuar vetëm si strehë e interesave të ngushta personale, jo si projekt politik për shqiptarët”, thonë nga VLEN.

Përndryshe, në AKI, së cilës i prin BDI-ja, mbetet krahu tjetër i ASH-së, ai i drejtuar nga Arben Taravari. Në koalicion është edhe Skënder Rexhepi-Zejdi – kryetar i partisë “Populli”. Zanafillën ky koalicion i gjerë e ka në zgjedhjet parlamentare 2024, me emrin Fronti Europian, por pa ASH-në e Taravarit, e cila në fakt u nda në dysh pikërisht për mospajtimet nëse duhej rreshtuar kah Fronti apo ka VLEN-i. Atë kohë në Front ishin PDSH-ja e Menduh Thaçit dhe PDE-ja e Arjanit Hoxhës, por që të dyja subjektet u larguan nga koalicioni.