Porosia e diplomatëve ishte e qartë. Pushteti dhe opozita duhet të bëjnë përpjekje dhe ta zbatojnë Marrëveshjen e Përzhinos, që sipas tyre, është e vetmja mënyrë të dilet nga kriza. Pas kësaj, Gruevski në Tuiter shkroi se për të ardhmen e tyre do të vendosin vetë maqedonasit. Opozita ndërkaq, këtë e interpreton se Gruevski nuk dëshiron ta pranojë porosinë e diplomatëve. Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, refuzoi të komentojë.
ZHERNOVSKI: GRUEVSKI NUK DËSHIRON TA PRANOJË POROSINË
Ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Geret kërkoi përfundim të menjëhershëm të të gjitha çështjeve të pazgjidhura nga Marrëveshja e Përzhinos, me ç’rast e ftoi VMRO-DPMNE-në të shfaqë përkushtim në zbatimin e marrëveshjes, ndërsa nga LSDM-ja kërkuan konstruktivitet.
“Besojmë se zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinos është mënyra më e mirë që të dilet nga kriza politike. Nga kryeministri Gruevski kërkojmë që ta inkurajojë ekipin e tij që, të gjitha çështjet e pazgjidhura nga Marrëveshja e Përzhinos, të përfundohen dhe të zbatohen menjëherë”, tha ÇARLS GERET – AMBASADOR I BRITANISË NË RM.
Kryeministri Nikolla Gruevski pas takimit me diplomatët, në profilin e tij në tuiter, shkroi se “për të ardhmen e vet, vendosë vetë populli maqedonas”.
Ky mesazh i kryeministrit, sipas LSDM-së do të thotë se ai refuzon ta pranojë porosinë e bashkësisë ndërkombëtare. Kjo nuk është betejë personale, por , ata që udhëheqin me shtetin kanë rol të veçantë dhe duhet të mbajnë llogari për veprimet e tyre – deklaroi Andrej Zhernovski.
“Në bisedë me ambasadorët e Gjermanisë dhe të Bullgarisë, theksova se është shumë e rëndësishme që vendi të mos sanksionohet, sepse, ne të gjithë e paguajmë çmimin për sjelljen e papërgjegjshme të qeverisë aktuale. Nuk ju nevojiten mjete të veçanta , duhet vetëm të mos dëshironi dhe të mos keni vullnet që ta zbatoni atë për të cilën jeni marrë vesh”, tha ANDREJ ZHERNOVSKI – KRYETAR I KOMUNËS QENDËR.
Skenari më i keq është të ndodhë ajo që e kemi parë te vendet rreth nesh, e ajo është të kemi përplasje popull me popull, qytetarë me qytetarë, shtoi ai. Zhernovski nuk u prononcua në lidhje me qëndrimin e opozitës, ndërsa lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në takimin e sotëm me gazetarët, refuzoi t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
