Mbrëmjen e së martës në Torino u zhvillua një nga ndeshjet më emocionuese të këtij edicioni të Champions League. Juventusi dhe Borussia Dortmundi dhuruan spektakël të vërtetë me plot tetë gola, por në fund nuk pati fitues – rezultati përfundoi 4:4.
Takimi solli debutimin e Edon Zhegrovës me fanellën bardhezi. Sulmuesi i Kosovës, që u transferua në verë nga Lille te gjiganti italian, u fut në lojë në minutën e 87-të, duke zëvendësuar Kenan Yildizin. Në atë moment Dortmundi ishte në epërsi 4:2 dhe shumica e tifozëve menduan se gjithçka ishte e mbyllur.
Megjithatë, Juventusi nuk u dorëzua. Në minutën e 94-t Dushan Vlahoviq shënoi për 4:3, duke rikthyer shpresat. Në minutën e gjashtë shtesë, pas një aksioni ku u përfshi edhe Zhegrova, Juve barazoi me golin e Lloyd Kelly. Vlahoviq, i cili shënoi më parë, dhuroi edhe asistin për golin e fundit.
E veçanta e kësaj superndeshjeje ishte se të gjitha tetë golat u realizuan në pjesën e dytë, duke e bërë këtë duel një nga më dramatikët e fazës së grupeve.
