Projekti për lidhjen hekurudhore me Bullgarinë është zhbllokuar plotësisht dhe do të realizohet me shpejtësi, paralajmëroi kryeministri Hristijan Mickoski. Me vendimin qeveritar të së martës për aktivizimin e parave nga Banka Evropiane Investuese, fillon procedura për realizimin edhe të pjesës së tretë nga Kriva Pallanka deri te kufiri bullgar.
Sipas Mickoskit edhe nga ana bullgare projekti po zhvillohet mirë, ku janë shpallur dy tenderë prej të cilëve njëri është për modernizimin e 17 kilometrave hekurudhë nga Perniku deri në Radomir, si edhe për pjesën nga Gjyuesheva deri te kufiri me Maqedoninë me gjatësi prej 2,4 kilometrash.
Nga ana e Maqedonisë ka përfunduar vetëm pjesa e parë Kumanovë-Bellakovcë, ndërsa pjesa e dytë Bellakovcë-Kriva Pallankë është e përfunduar rreth 30 për qind, por këtu do të ketë përshpejtim të ndërtimit sepse janë hequr pengesat konstruktive. Pjesa e tretë, e cila mori miratim për ndërtim nga qeveria e Maqedonisë, është më komplekse sepse në gjatësinë e saj prej 23,4 kilometrash përfshin 22 tunele dhe 52 ura.
Mickoski pret përfitime të mëdha për shtetin nga përfundimi i këtij projekti i cili do të duhej të realizohej deri në fund të vitit 2028.
Hekurudha e Korridorit 10 do të ndërtohet me mbështetje të Britanisë së Madhe, do të kushtojë diç më pak se dy miliardë euro dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2030.