Edhe kjo e hënë i gjen deputetët e opozitës shqiptare, duke nënshkruar mijëra amendamente për bllokim të Kuvendit.
Do të vazhdojnë të pengojnë ligje, deri sa nuk gjendet një zgjidhje për propozim ligjin e tyre për shtetësinë.
Koordinatorët e grupeve parlamentare në takimin e sotëm me krye parlamentarin kanë biseduar për zhbllokimit të Kuvendit, por pa një zgjidhje konkrete.
Koordinatori i grupit parlamentar i koalicionit Aleanca-Alternativa, Skender Rexhepi, tregon për TV21 se si LSDM-së po ashtu edhe VRMO-DPMNE-së u ka kërkuar të ulen për të gjetur zgjidhje.
“E para është që të ulemi bashkërisht si Kuvend, si grupe parlamentare, si koordinatorë të caktojmë një komision i cili do të diskutojë çdo nen veçmas nga propozim-ligji për shtetësinë. Nuk ka nen që nuk është i ndryshueshëm por gjithmonë ne do ta ruajmë parimin që të jetë në interes të atyre që kanë nevojë për shtetësi. Do të diskutojmë. Në momentin që do të arrijmë formën e përgjithshme, në moment që ulemi dhe fillojmë të bisedojmë, me gjetjen e një zgjidhjeje reale, njerëzore, atëherë edhe debllokimi do të fillojë vetëvetiu”, tha Skender Rexhepi – Koordinator i Grupit Parlamentar ASH-AAA.
Rexhepi vlerëson se zgjidhja do të vijë shumë shpejt. Po ashtu beson se zgjidhja mund të arrihet brenda Kuvendit, pa pasur nevojë për takim liderësh. Kryetarët mund të takohen nëse mungon gatishmëria brenda Kuvendit për zgjidhje, thotë deputeti opozitar, duke shtuar se nuk janë të interesuar të bllokojnë ligjet, por janë të interesuar të kalojë ligji për shtetësinë.
Edhe nga Qeveria, Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, tregon se si institucionet shtetërore po ashtu edhe partitë janë angazhuar për të gjetur zgjidhje. Bllokimin e opozitës shqiptare e quan lojë.
“Lojërat politike nuk janë në interes të qytetarëve. Parlamenti është institucioni i cili kanalizon zërin e qytetarëve. Bllokimi i kuvendit nënkupton bllokimin e zërit të qytetarit it në proceset politike në vend andaj. Në kushte kur të gjitha institucionet janë të angazhuara për jetën e qytetarëve në këto vështirësi të krijuara nga pandemia lojërat politike në parlament nuk do i ndihmojnë as atyre që i bëjnë, po më së paku qytetarëve”, u shpreh ministri i Jashtëm Bujar Osmani.
Deri më tani opozita shqiptare, ka dorëzuar mbi 10 mijë amendamente për ligje të ndryshme që ka propozuar qeveria. Kjo kundërpërgjigje vjen pasi LSDM-ja kritikoi propotimligjin e Aleancës-Alternativës për shtetësinë, ndërsa nga ana tjetër VMRO-DPMNE dorëzoi rreth 500 amendamente për të njëjtin. Mungesa e gjetjes së një gjuhe të përbashkët, revoltoi opozitën shqiptare e cila nisi me dorëzim të amendamente, e me këtë thonë se nuk do të ndalojnë deri në sjelljen me kompromis të një ligji të ri për shtetësinë.
