Ministria e Infrastrukturës me në krye ministrin Lufti Zharkun, së bashku me komunën e Lipjanit dhe të parin e saj Imri Ahmet, u takuan sot në Lipjan për të diskutuar rreth problemeve, nevojave dhe mjeteve financiare që ka kjo komunë për zhvillim të mëtutjeshëm.
Ndonëse është financuar mjaft në këtë komunë, ende ka shumë punë për të bërë. Dy rreth-rrotullime, të cilat janë më se të nevojshme për këtë vend, një urë dhe disa rrugë dytësore do të jenë pikë kyçe për financimet, të cilat priten të bëhen nga komuna e po ashtu edhe nga Ministria e Infrastrukturës.
I pari i komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, u shpreh i kënaqur që sot priti ministrin Zharku në zyrën e tij, për të tretën herë radhazi, për të diskutuar rreth nevojavedhe kërkesave të Lipjanit. Sipas Ahmetit, po shikohet mundësia për financim të dy rreth-rrotullimeve, të cilët do të bëhen në këtë komunë.
Kurse ministri Lutfi Zharku, tha se këtë iniciativë e kanë marrë për të parë për së afërmi nevojat që ka komuna e Lipjanit. Sipas tij, vitin e ardhshëm do të ketë investime kapitale, të cilat janë të nevojshme për Lipjanin.
Ndërkaq, pas vizitës në urën që lidh Lipjanin me vende tjera, Ahmeti shtoi se komuna për këtë urë, e cila është shumë e nevojshme që hyrjet dhe daljet nga Lipjani të jenë më të lehta, ka ndarë 2 milionë e 800 mijë euro.
Gjatë ditës Zharku dhe Ahmeti vizituan edhe disa pika tjera, në të cilat do të investohet si nga komuna ashtu edhe nga Ministria e Infrastrukturës. Ndër to ishin udhëkryqi Magure-Shtime dhe Lipjan-Magure.
