Zharku fton regjisorët të xhirojnë në Kosovë

TË FUNDIT

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, ishte njëri ndër panelistët e diskutimit të titulluar “Meet the funds”, që është organizuar nga Istanbul Film Festival, në edicionin e 34-të këtij festivali.

Krahas drejtorit të QKK-së, pjesë e panelit kanë qenë edhe Irina Kanousheva (Bulgarian National Film Center), Jovan Marjanovic (Creative Europe and City of Sarajevo), Khalil Benkirane (Doha Film Institute), Salome Murvanidze (Ministry of Culture of Ajara Region), Giorgi Khabashvili (Georgian National Film Center) Eva Hubert (Filmförderung Hamburg Schleswig-Holstein), Sergio Garcia de Leaniz (Eurimages), Snezana Maric (Serbian Film Center), Teresa Hoefert de Turégano (Medienboard Berlin Brandenburg).

Temë diskutimi ishin mënyrat e bashkëprodhimit në Ballkan, me ç’rast Zharku inkurajoi producentët turk që të shfrytëzojnë mundësitë që i ofron Kosova si vend potencial për xhirim të filmave.

Këtë vit, Festivali i Filmit në Stamboll tërhoqi vëmendje të madhe për shkak se Ministria turke e Kulturës nuk lejoi shfaqjen e filmit dokumentar “Bakur”, me arsyetimin se ky film nuk i kishte autorizimet e nevojshme.

Në shenjë solidarizimi dhe proteste kundër censurës ky festival ka anuluar konkurrencën ndërkombëtare dhe kombëtare, konkurrencën kombëtare për filmat dokumentar, si dhe ceremoninë e mbylljes të festivalit,raporton kosovalive.