‘Zgjidhjet’ e Aganit për kaosin urbanistik

TË FUNDIT

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, vlerëson se kaosi urbanistik në Kosovë pasqyron dhe krizën e thellë të identitetit nëpër të cilën po kalon shoqëria jonë. Megjithëkëtë si zgjidhje të këtij problemi ai e konsideron, Ligjin për Odat e Arkitektëve dhe Ndërtimtarëve.

“Ky ligj do të jetë themel i sigurt, i bazuar në përvojat rajonale, në praktikat më të mira evropiane dhe në standardet shkencore dhe profesionale, me të cilën arkitektët dhe profesionistët e lëmisë së ndërtimtarisë do të jenë në gjendje të marrin peshën e plotë të përgjegjësisë së tyre publike që e kanë për çështje të arkitekturës dhe urbanizimit në përgjithësi”, tha ministri Agani, në konferencën shkencore ndërkombëtare “Arkitektura dhe identiteti – Çështjet kritike në diskursin bashkëkohor në qasje rajonale”, organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin AAB.

Agani shtoi se nuk mund të shkohet përpara me projeksione strategjike-zhvillimore shtetërore dhe zgjidhjen e këtyre problemeve që kanë të bëjnë me cilësinë e punëve profesionale, me borde ose organe të përkohshme të cilat nuk e kanë një legjitimitet të plotë për zgjidhjen e problemeve në fushën për të cilën po flitet./ 21MEDIA