Pothuajse pa debate dhe komente, unanimisht me 95 vota “për”, pa asnjë “kundër dhe “të përmbajtur”, në Kuvend u votua përbërja e re e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Me propozim të opozitares VMRO-DPMNE, në krye të komisionit do të jetë Aleksandar Dashtevski.
“Konstatoj se për kryetar të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve është zgjedhur Aleksandar Dashtevski, për nënkryetare është zgjedhur Ditmire Shehu, kurse për anëtarë të KSHZ-së janë zgjedhur: Boris Kondarko, Oliver Ristovski, Radica Ristevska, Boban Stojanovski dhe Krenar Lloga”, tha Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit.
I vetmi që kërkoi fjalë ishte Kastriot Rexhepi nga Besa, i cili tha se duhet të mendohet për idenë që KSHZ-së të përbëhet nga anëtarë jopartiak dhe për ndryshime ligjore. Me propozimin e tillë u pajtua edhe Gordana Siljanovska-Davkova, deputete e VMRO-DPMNE-së.
“Do të doja që në të ardhmen të zbatohet ideja që ishte dhënë nga OSBE, e ajo është që KSHZ-ja të ketë anëtarë profesionistë, të jetë trup jopartiak dhe të jetë një trup që nuk do të mund të kontestohet. Sipas marrëveshjes politike që e kanë, megjithatë votohet siç po e bëjnë edhe sot. Unë mendoj se disa anëtarë janë të kontestueshëm”, u shpreh Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.
“Është koha e fundit dhe unë e mbështes plotësisht z.Rexhepin të ulemi dhe t’i rishqyrtojmë organet e tilla. Unë me përgjegjësi të plotë pohoj se nëse nuk arrijmë të ketë profesionalizëm dhe kompetencë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe në të gjitha komisionet që duhet të vendosin për të drejtat e njeriut dhe që duhet të udhëhiqen nga profesionalizmi dhe kompetencat e njohurive, nderit dhe angazhimit, ne nuk do të kemi reforma reale”, potencoi Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.
Kryetari i sapozgjedhur Dashtevski ishte anëtar i KSHZ-së para 15 vjetëve, kurse funksioni i tij i fundit ishte kryetar i Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi. Dashtevski vjen në vendin e Oliver Derkovskit, ndërsa Ditmire Shehu, me propozim të BDI-së mbetet nënkryetare e Komisionit. Mandati i KSHZ-së skadon më 15 janar.
