Zgjidhen zëvendësit e Gashit, FE kërkon nënkryetar por nuk mori, e bojkotoi seancën

TË FUNDIT

Kryeparlamentari Afrim Gashi do të ketë tre nënkryetarë, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE, Jovan Mitreski nga LSDM dhe Vesna Bendevska nga ZNAM të cilët e morën përkrahjen e duhur për zgjedhjen e tyre. Edhe pse ideja fillestare ishte që të jenë pesë nënkryetarë, megjithatë në fund u vendos që të jenë tre. Me këtë dështoi ideja që njëri nga nënkryetarët të jetë nga radhët e Frontit Europian, edhe pse, siç mësojmë, ata kanë këmbëngulur për të marrë postin e nënkryetarit të Kuvendit, kështu që me shumë gjasa kjo ishte arsyeja se pse deputetët e këtij koalicioni nuk morën pjesë në seancë.

Deputetët e radhëve të LSDM-së përveç deputetit të tyre Jovan Mitrevski, nuk votuan as pro e as kundër për Milloshoskin dhe Bendevskën. Mitreski u zgjodh me 82 vota, Milloshoski me 69 dhe Bendevska me 70. Nënkryetarët dhanë betim solemn, e ku për arsye shëndetësore nuk mori pjesë vetëm Milloshoski. Në deklaratën kur duhej të lexohej emri kushtetues Bendevska e lexoi R. Maqedonia V.

AFRIM GASHI, KRYETAR I KUVENDIT

“Deklaroj se funksioni nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do ta kryej me ndërgjegje dhe në mënyrë të përgjegjshme dhe do ta respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit të RMV-së.  

Përndryshe, në fillimin e seancës u konfirmua edhe vendimi për zgjedhjen e kryetarëve, zëvendësve të kryetarëve, anëtarëve dhe zëvendësve të tyre në komisionet e Kuvendit. Pas kësaj seance, të martën pritet që para deputetëve të gjendet edhe pika për zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar. Mandatari Mickoski do ta propozojë kabinetin e ri qeveritar dhe do ta prezantojë programin e punës së qeverisë së re. Debati mund të zgjasë maksimum dy ditë.