Zgjerim i shumicës apo shumicë e re? Zaevi thotë se ka bashkëpunim të mirë me Alternativën

TË FUNDIT

Të hënën do të ketë një shumicë të re parlamentare tha mbrëmë në Click Plus Zekirija Ibrahimi nga Alternativa.

Zeqirija Ibrahimi: “Jam i bindur se të hënën do të habiteni shumë vetë se nga u bënë ato numra.

TV21: Në kampin aktual apo në kampin opozitar? Se kjo është shumë me rëndësi? Në kampin opozitar do t’i bëni 61? Apo kampi aktual do t’i bëj 62 plus?

Zeqirija Ibrahimi: Unë po ju flas për pjesën që më pyetët, e ajo është për kampin opozitar”.

E Kryeministri i vendit, Zoran Zaev thotë se kanë bashkëpunim të mirë me Alternativën dhe i orientoi gazetarët që të pyesin se për cilën shumicë parlamentare bëhet fjalë.

 “Unë jam i bindur se shumica parlamentare do të rritet. Nëse e lexoni se çfarë thonë nga Alternativa është se pas rrethit të dytë zgjedhjeve gjëgjësisht të hënën do të publikohen një shumicë e re parlamentare. Mund t’i pyesni se për cilën shumicë parlamentare flasin. Ne me Alternativën kemi bashkëpunim të mirë dhe perspektivë që t’i shërbejmë shtetit në rrugën euroatlantike dhe një shoqëri për të gjithë dhe jo për nacionalizmin e Aleancës dhe VMRO-DPMNE”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Por i pyetur rreth shumicës së re, Zekirija Ibrahimi nga Alternativa tha se rolin kryesor për të siguruar shumicën e re parlamentare e ka kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski.

“Shumicën e re parlamentare e ka në dorë z. Hristijan Mickovski”, tha Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa.

Edhe pse u pyet disa herë se a do të japë dorëheqje në qoftë se LSDM e humb Qytetin e Shkupit, Zaev nuk u përgjigj konkretisht. Por mbrëmë në TV Sitel u shpreh nëse Shkupin e fiton kandidatja Danella Arsovska, ai nuk mund ta udhëheqë Qeverinë, pasi sipas tij, qeverisja lokale në atë rast do të bëjë opstrukcione në politikat e pushtetit qendror.

 “Gjithsesi, Qeveria e udhëhequr nga nga LSDM-ja, me partnerët, plus shumicë e forcuar, nuk është njëjtë nëse i keni 62, 64 apo 68 deputetë, por gjithsesi do të mbetet Qeveri e udhëhequr nga LSDM-ja”, potencoi Zaev.

Për këtë deklaratë ka reaguar lideri opozitës maqedonase Hristijan Mickovski. Ai thotë se BDI-LSDM bëjnë gjithçka vetëm të mbesin në pushtet për të qenë t’i shfrytëzuar privilegjet në qeveri.

 “Vendosja në tavolinë “All in” në politikë dhe vendosja e qytetarit para aktit të kryer dhe vendosja e shtetit në gjunjë nga ana e pushtetit LSDM-BDI është me një qëllim që t’i mbajnë privilegjet e pushtetit dhe të vazhdojnë të vjedhin nga tenderët dhe t’i përgjojnë qytetarët”, theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në qytetin e Shkupit, kandidati i LSDM-së dhe kryetari aktual Petre Shilegov fitoi rreth 8 mijë vota më pak se kandidatja e pavarur, e mbështetur nga VMRO-DPMNE Danella Arsovska. Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale mbahet më 31 tetor.