Zgjedhjet në Kosovë, fillon afati për votim nga diaspora

TË FUNDIT

Të gjithë qytetarët që arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë vendit, pasi kanë plotësuar kriteret ligjore do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 deri më 12 shkurt për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Nga ana tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Prokurori e Shtetit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Komisioni i Pavarur i Medieve, OJQ-ve sot mbajtën konferencë për media lidhur me zgjedhjet e parakohshme. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se bashkëpunimi ndër-institucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Sipas Kushtetutës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka barrën kryesore për organizimin e proceseve zgjedhore në Republikën e Kosovës, por jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi ndër-institucional është i domosdoshëm për t’i shërbyer zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qëllimi ynë i përbashkët është që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me ligjin dhe të reagojmë kur cënohet integriteti i zgjedhjeve dhe e drejta e votës. Prej vitesh institucionet tona kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit për bashkëpunim ndërinstitucional, i cili ka dhënë rezultatet në proceset e kaluara zgjedhore.”, tha Daka.

Ajo u shpreh se krenare e bën fakti se Kosova si shtet i ri ka arritur të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Natyrisht se synim i përhershëm i KQZ-së mbetet përmirësimi i proceseve zgjedhore, në kuadër të mundësive që lejon ligji. KQZ është duke u përkushtuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave që dalin nga Kushtetuta dhe Ligji në fuqi për Zgjedhjet e Përgjithshme.”, u shpreh Daka.

Daka shtoi se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, Ligjeve në fuqi dhe me standardet më të mira ndërkombëtare.