Zgjedhjet në BeH, Beqiroviq prin para Izetbegoviqit

TË FUNDIT

Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë dhe Hercegovinës shpalli të dielën rezultatet preliminare të zgjedhjeve për anëtarët e Presidencës së vendit, transmeton Anadolu.

Rezultatet preliminare dhe jo të plota i referohen 54,73 për qind të vendvotimeve të përpunuara në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe 39,58 për qind të vendvotimeve të përpunuara në Republikën Srpska.

Kryetari i KQZ-së së BeH-së, Suad Arnautoviq, tha se deri më tani janë përpunuar 1.816 vendvotime (54,73 për qind) për zgjedhjen e anëtarëve të Presidencës nga radhët e popullit boshnjak, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga territori i Federatës së BeH-së. Ai tha se ishin 518.583 fletëvotime të vlefshme (93,04 për qind).

Sipas këtyre të dhënave, kandidati i opozitës Denis Beqiroviq ka fituar 162.053 vota (55,78 për qind), kandidati i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA) Bakir Izetbegoviq ka marrë 114.186 vota (39,31 për qind) dhe Mirsad Haxhikadiq 14.269 vota (4,91 për qind).

Për zgjedhjen e anëtarit të Presidencës nga radhët e popullit kroat, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga territori i Federatës së BeH-së, sipas KQZ-së, kandidatja e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ), Borjana Krishto, fitoi 117.147 vota (51,36 për qind), ndërsa kandidati i Frontit Demokratik (DF) Zheljko Komshiq fitoi 110.928 (48,64 për qind). Zheljko Komshiq tashmë ka shpallur fitore në garën për anëtar të Presidencës së BeH-së.

Në territorin e Republika Srpska janë përpunuar 886 vendvotime (39,58 për qind), prej të cilave 235.698 (93,30 për qind) kanë qenë fletëvotime të vlefshme.

Zheljka Cvijanoviq, kandidate e Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur (SNSD) së Milorad Dodikut, fitoi 121.731 (51,65 për qind). Kandidati i Partisë Demokratike Serbe (SDS) Mirko Sharoviq fitoi 86.797 vota (36,83 për qind), kandidati i Aleancës Demokratike Popullore (DNS) Nenad Neshiq 13.869 vota (5,88 për qind), kandidati i “Të bashkuar për Bosnje e Hercegovinën e Lirë” Vojin MIjatoviq 10.182 vota (10, për qind) dhe kandidati Borislav Bijeliq fitoi 2.119 vota (1,32 për qind).