Zgjedhje ndaras apo të dyfishta? VMRO-DPMNE dhe LSDM me qëndrime të ndryshme

TË FUNDIT

Nuk ka asnjëfarë logjike që të shpenzohen para që të mbahen zgjedhjet ndaras që do ta kushtojnë shtetin dyfish më shumë sesa nëse ato mbahen së bashku. Këtë në intervistë për Radio Evropa e Lirë e deklaroi nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandër Nikollovski, i cili theksoi se edhe në të kaluarën kur afatet për mbajtjen e zgjedhjeve kanë qenë afër, data për mbajtjen e tyre është bashkuar edhe atë vetëm për arsye ekonomike dhe praktike.

“Vetëm një muaj e gjysmë deri në dy, aq është dallimi mes zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, nuk ka logjikë që të shpenzohen dyfish para më shumë, të angazhohen bordet zgjedhore dyfish. Deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje kredibile për pyetjet tona pse për Maqedoninë është më mirë të shpenzohet dyfish më shumë para dhe të jetë 6-7 muaj e ngrirë në aktivitetet e saja për të zbatuar dy cikle zgjedhore.”- tha Aleksandër Nikollovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve nga LSDM mbeten në qëndrimin se ata do të mbahen në terminët e tyre të rregullta, së pari zgjedhjet presidenciale e më pas parlamentare.

“Në pjesën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, shumë shpesh e themi qëndrimin tonë parimorë se së pari do të mbahen zgjedhjet e rregullta presidenciale, e më pas zgjedhjet e rregullta parlamentare. Gjithsesi se jemi të hapur për bisedimin për datën e saktë. Presim që të ketë grupe pune në Kuvend, ku opozita do të nominojë anëtarë të tyre dhe do të caktojmë datën e saktë për mbajtjen e zgjedhjeve.”- thanë nga LSDM.

Dje Mickoski tha se grupet e punës në Kuvend tashmë kanë biseduar, por vetëm rreth ndryshimeve të Kodit zgjedhor për rekomandimet e OSBE ODIHR.