Zgjedhja e presidentit në Kuvend, Gashi: Nuk bëhet me automatizëm, mundet edhe përmes zgjedhjeve

TË FUNDIT

Që presidenti i shtetit në të ardhmen të jetë shqiptarë, nuk është doemos të ndryshohet Kushtetuta. Kështu në Daily Click u shpreh kreu i Kuvendit Afrim Gashi. Sipas tij, nëse ka konsensus të lartë politik, presidenti shqiptar mund të zgjidhet edhe në zgjedhje edhe në Kuvend sepse në të dy mënyrat, nevojitet mbështetje nga së paku një ose dy parti maqedonase. Megjithatë sipas Gashit, qytetarët dhe politikanët në Maqedoninë e Veriut duhet ta ndërrojnë mendësinë dhe të mos i shohin gjërat në bazë të etnitetit por në atë se kush çfarë ofron dhe sa punon. Nëse një politikan shqiptar tregohet i shkëlqyeshëm në punën e tij profesionale, atëherë edhe maqedonasit do ta mbështesnin atë si kandidat për president, thotë Gashi.

“Pse jo. Është çështje e marrëveshjes politike. Kushtetuta aktuale parasheh që presidenti i shtetit të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta. Edhe kjo mënyrë mendoj që nuk e përjashton mundësinë që një shqiptarë të jetë kryetar shteti. Mundësia tjetër është që të bëhet në Parlament por edhe ajo nuk do të thotë se me automatizëm do të jetë shqiptar. Edhe aty do të kërkohen dy të tretat. Pra kërkohet një konsensus i lartë politik”, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Por çfarë po ndodhë me ligjin për vetqeverisje lokale? Kur e njejta do të vendoset para deputetëve në Kuvend?

“Nuk është ligji ende në procedurë, nuk është i përpiluar. Po mundohemi që para se ta lëshojmë në procedurë, të dakordohemi. Të shohim se cilat janë kërkesat edhe të opozitës, që të mund të gjejmë një gjuhë të përbashkët që të kalojë në mënyrë sa më konsensuale”, shtoi Afrim Gashi – kryetar i Kuvendit.
Sipas Gashit, do të ishte e padrejtë që qytetarët të votojnë dy herë për kryetarë komune brenda një periudhe prej një vit e gjysmë.

“Do ishte e padrejtë që ne pas gjashtë muajve të shkojmë në zgjedhje lokale dhe të nxjerrim në votime të gjithë qytetarët e Gostivarit përshembull, dhe pastaj pas tetë muajve të dalin sërish njerëzit e njëjtë të votojnë për një mandat katër vjeçar. Një herë do të dalin për tetë muaj, dhe herën tjetër do të dalin për katër vjet”, shtoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.


Për këtë shkak siç thotë Gashi, ky ligj është në interes të të gjitha partive politike si në pushtet ashtu edhe në opozitë, duke patur parasysh se edhe nga radhët e Frontit Europian ka deputetë të cilët paraprakisht kanë dhënë dorëheqje nga posti si kryetar komune.