Zgjedhja e Merkos është e drejtë, thotë Grubi! ASh-AAA dhe VMRO-DPMNE emrat do t’i publikojnë deri në fund të muajit

TË FUNDIT

Sipas shembullit të LSDM, edhe BDI në zgjedhje lokale do të dalë me emra të vjetër. Nga partia e Ahmetit tashmë kanë publikuar rreth 20 kandidatë për kryetarë komune për zgjedhjet lokale në vjeshtë, por kryesisht bëhet fjalë për emra të vjetër. Disa prej tyre kanë qenë vazhdimisht të kritikuar nga opnioni për mënyrën e menaxhimit me komunën dhe shpenzimin e parave, siç janë: Ramiz Merko i cili është përsëri kandidat për Strugën, por edhe Teuta Arifi për Tetovën. Nga kandidatët e tjerë Visar Ganiu kërkon edhe një mandat në Çair, Fatmir Dehari në Kërçovë, Hekuran Duka në Dibër, Nevzat Bejta në Gostivar. Artan Grubi nga BDI thotë se për të gjithë kandidatët janë bërë analiza dhe se kanë sjellë vendimin e duhur.

“Ne bëmë sondazhe të veçanta në gjithë qytetet dhe një mijë njerëz të anketuar në secilin prej qyteteve dhe u dëshmua se emrat që prezantuam në fakt janë më të mbështeturit nga të gjithë qytetarët, por jo vetëm nga një komunitet, por nga të gjitha komunitetet, përfshirë shembullin e z. Merko”, tha Grubi.

Koalicioni opozitar Aleanca-Alternativa ende janë duke zhvilluar negociata për emrat e kandidatëve, por edhe për listat e këshilltarëve. E vetmja gjë që është e sigurt është se Arben Taravari do të jetë kandidat përsëri për Gostivarin, për Çairin Bekim Sali, ndërsa nga koalicioni zbuluan edhe disa emra të tjerë.

“Përcaktimi i kandidatëve për secilën komunë do të fillojë javën e ardhshme. Tani për tani, ka një vendim nga Kryesia për mandat të dytë të Arben Taravarit në Gostivar, Isen Shabanit në Vrapçisht dhe Albon Xhemaili në Bogovinë. Përveç tyre, ekziston një konsensus në tre degë dhe janë propozuar Bekim Pocesta për Dibrën, Mahir Ziberi për Zhelinën dhe Nazim Taipi për Tearcën, i cili vjen nga diaspora, një biznesmen i dëshmuar në Zvicër dhe Tetovë”, thanë nga ASh-AAA-ja.

Edhe pse kishte paralajmërime se në zgjedhjet lokale mund të dakordohen për mbështetje me opozitaren VMRO-DPMNE, dhe atë që në rrethin e parë, tani për tani një koalicion i tillë vetëm aludohet.

“Për koalicion, i shqyrtojmë bashkëpunimet më të mira që do të jenë në interes të qytetarëve. Do të presim mbështetje për kandidatët tanë nga ata që janë të vendosur t’i vendosin fund krimit të LSDM dhe BDI-së dhe partnerëve qeveritarë. Bashkëpunimi do të jetë i ndryshëm sipas specifikave të komunave, sipas peshës së partive politike dhe rrethanave”, thanë nga koalicioni.

Nga VMRO-DPMNE ende kalkulojnë. Thonë se po i bëjnë sondazhet e fundit para se të publikojnë kandidatët, por theksojnë se do të jenë tërësisht emra të rinj.

“VMRO-DPMNE do të dalë me mbi 95% emra të rinj si kandidatë për kryetarë komunash, normal edhe me lista të reja për këshilltarë. Diku në pjesën e dytë të gushtit do të publikohen, diku në mes të këtij muaji, por menjëherë sapo të përfundojnë sondazhet do të publikohen në opinion”, deklaroi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.

Edhe pse LSDM paraprakisht paralajmëroi se grupin e dytë të kandidatëve për kryetarë komunash do ta publikojë në fillim të këtij muaji, tani për tani nuk ka asgjë. I pyetëm se kur do të dalin do të shpalosin emrat e kandidatëve të tjerë, por nuk morëm përgjigje.