Deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm të vazhdohet gjendja krize në pjesën e furnizimit me energji elektrike në të gjithë territorin e vendit dhe me energji termike në Qytetin e Shkupit. Kjo ishte temë debati në Komisionin parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri. Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se Qeveria do të miratojë masa për zbutjen e krizës.
“Qëllimi i vetëm për vazhdimin e afatit të gjendjes krize në sektorin energjetik është që Qeveria të ketë mekanizma t’u dalë në ndihmë këtyre institucioneve, por edhe amvisërive për ta zbutur sadopak ndikimin negativ që mund ta sjellë kjo krizë e cila në mënyrë indirekte mund të ndikojë edhe mbi pjesën tjetër të shpenzimeve familjare, por edhe mbi shtimin e harxhimeve operative”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Opozita tha se të gjithë hapat që po ndërmerren tani janë të vonuar dhe se kriza fuqishëm i ka goditur qytetarët dhe ekonominë, të cilët tashmë paguajnë çmim tepër të lartë për energji elektrike. Njëkohësisht akuzuan se kriza abuzohet për lidhjen e marrëveshjeve sy me sy për furnizim të energjencave.
“Është fakt se në 12 muajt e fundit çmimi i energjisë elektrike u rrit për mbi 30%. Tani për Vitin e Ri do të rritet përsëri. Këtë po e them për amvisëritë. Tani në vend që të debatojmë se çfarë do të bëjmë ose çfarë është bërë, ne këtu shkëmbejmë qëndrime politike. Mirë, do të votohet kjo gjendje krize dhe çfarë do të jetë ndryshe se tani? Asgjë nuk do të ndodhë. Përsëri do të marrin tenderë sy me sy.”- deklaroi Bojan Stojanovski, Vmro-Dpmne.
Përndryshe Komisioni filloi me rreth 2 orë vonesë sepse deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkuan vërejtje procedurale dhe pothuajse të gjithë kërkuan fjalë me vetëm një kërkesë, që në rendin e ditës të vendoset pika mbi të cilën do të debatohet për moskryerjen e shërbimit ushtarak të kryeministrit Dimitar Kovaçevski.
