Zëvendëskryeministri i parë Grubi i dhuron plis ambasadorit të BE-së Samuel Zhbogar

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ka pritur në kabinetin e tij Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar.

Në njoftimin e dërguar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti së cilës i takon Grubi, shkruhet se zëvendëskryeministri, njëherazi dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e ka falënderuar ambasadorin për kontributin e tij  në rrugëtimin e Maqedonisë së  Veriut drejt integrimit evropian.

“Bashkëbiseduesit folën për reformat, Marrëveshjen e Ohrit dhe luftën e pa kompromis ndaj korrupsionit në vend. Zëvendëskryeministri i parë  Grubi theksoi se Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive do të jetë ministri moderne, funksionale dhe përgjegjëse dhe do të kontribuojë në kohezionin shoqëror dhe barazinë qytetare”, shkruhet në njoftimin e BDI-së, raporton TV21.

Në njërën nga fotografitë që ka dërguar zyra për shtyp e integristëve shihet se Grubi i dhuron Zhbogarit një plis dhe brez, të cilat Ambasadori i BE-së, siç duket në foto, i ka pranuar me buzëqeshje./TV21