Opsioni për shumicë të re parlamentare ose për zgjedhje të parakohshme edhe më tej mbeten në lojë për kryetarin e opozitares DPMNE, Hristijan Mickoski. Ai thotë se ende po negocion me disa deputetë dhe siç thotë, së shpejti do të dihet nëse do të ketë ndryshime në shumicën parlamentare, por nuk deshi të zbulojë me cilat parti po bisedon.
“Jini të durueshëm, së shpejti do të dini se a kam unë të drejtë apo Zoran Zaev. Jini të durueshëm, ndoshta ka parti politike që janë pjesë e koalicionit të LSDM”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por, Kryeministri Zaev për TV21 tha se është i bindur se nuk ka lëvizje në shumicën parlamentare.
“Unë mendoj se shumica është stabile. Ndërsa, nëse Mickoski thotë se në mënyrë të pakëndshme do të befasohemi, atëherë mbetet të presim dhe të shohim”, potencoi Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, para disa ditësh LSDM-ja e humbi shumicën në komunën e Radovishit pasi Partia e Lëvizjes së turqve vendosi që ta lëshojë koalicionin në nivel lokal në këtë komunë. Enes Ibrahim nga kjo parti për “360 gradë” tha se ai si deputet mbetet në shumicën parlamentare, por vendimin nëse do të vazhdojnë në koalicion me LSDM do ta sjellin në Kongres.
“Ne luftuam kundër regjimit dhe tani nuk do të lejojmë që disa sherifë lokalë ta shkelin dinjitetin e turqve në vend. Si deputet, tani për tani mbetem në shumicën parlamentare megjithatë për më tutje janë të hapura të gjitha opsionet. Së shpejti duhet të sjellim vendim për mbajtje të Kongresit partiak, para zgjedhjeve lokale kur do të sillet vendimi nëse mbetemi pjesë e koalicionit në pushtet”, u shpreh Enes Ibrahim – deputet i Lëvizjes së turqve.
A kalkulon Mickoski pikërisht me deputetin e Partisë për lëvizje të turqve, nuk deshi të zbulonte.
“Nuk do të doja tani të flas për punë për të cilat besoni duhet diskrecion i madh për ta realizuar qëllimin. Ndërsa qëllimi është që kjo qeveri të bie”, shtoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Përbërja parlamentare e VMRO-DPMNE-së dhe koalicioni numërojnë 44 deputetë, ndërsa së bashku me opozitaren ASH me 8, me Alternativën me 4 dhe dy deputetët e Së Majtës, gjithsej kanë 58 deputetë, ndërsa për shumicë të re u nevojiten edhe tre deputetë.
