Në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovasja” sot ka ndodhur një zënkë, nga e cila një person ka përfunduar në spital. Sipas të pranishmëve në vendin e ngjarjes, përleshja ka nisur pasi që sulmuesi ka dalë nga vetura dhe ka goditur me shufër hekuri të punësuarin e parkingut, i cili paraprakisht i kishte tërhequr vërejtjen atij që të mos e ngasë veturën me shpejtësi të madhe.
Dëshmitarët thonë se sulmuesi ka ikur nga vendi i ngjarjes, ndërsa i lënduari është dërguar në spital. Personi që ka ikur është i njohur për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në linjë telefonike për TV 21, zëdhënësi Ivo Kotevski tha se personi që ka sulmuar është E.R. dhe nga Studeniçani, ndërsa policia është në kërkim të tij.
